2015-05-08 16:33:00

Papa: në Kishë diskutohet për të krijuar unitet e jo “grupe”


Është Zoti i panjohur ai, që i vë në lëvizje ujërat e Kishës e sa herë që të krishterët, duke nisur nga Apostujt, janë ballafaquar me sinqeritet, me frymë dialogu, e jo duke sendërgjuar tradhti e “grupe” lidhur vargan me njëri-tjetrin, si alpinistët me litarë, kur duan të kapin majat, e kanë kuptuar gjithnjë cila ishte gjëja më e drejtë, që duhej bërë, falë frymëzimit të Shpirtit Shenjt. Për homelinë e sotme Françesku  e mori shtytjen nga Veprat e Apostujve. E u ndalua, në mënyrë të veçantë, tek situatat e ballafaqimit e të ndeshjeve, që nuk munguan as në bashkësinë e parë të krishterë.

Dialog ndërmjet vëllezërish, jo “grupe” armiqsh 

Fragmenti i ditës flet për përfundimin e Koncilit të Jeruzalemit, i cili vendosi, pas jo pak fraksionesh, disa rregulla të thjeshta, që duhet t’i zbatonin të sapokthyerit në rrugën e Ungjillit. Problemi, kujtoi Papa, është se para kësaj ngjarjeje, qe ndezur  një luftë e brendshme ndërmjet atyre, që i quajti “të mbyllur”, grup të krishterësh “tepër të lidhur me ligjin”, të cilët donin t’u impononin të krishterëve të rinj kushtet e hebraizmit – e, nga ana tjetër, Palit të Tarsit, Apostullit të paganëve, vendosmërisht në kundërshtim me këtë detyrim:

“E si e zgjidhin këtë problem? Mblidhen e secili jep gjykimin e vet, opinionin e vet. Diskutojnë, por si vëllezër e jo si armiq. Nuk bëjnë grupe, nuk lidhen me njërin-tjetrin, jashtë, me synim që të fitojnë, nuk shkojnë tek pushtetet civile, për të fituar; nuk mbysin, për të fituar. Kërkojnë udhën e lutjes e të dialogut. Ata, që ishin në pozita të kundërta, dialogojnë e  vendosin së bashku. Kjo është vepra e Shpirtit Shenjt”.

Shpirti Shenjt shtyn drejt harmonisë

Vendimi përfundimtar, nënvizoi Papa Françesku, merret në harmoni të plotë. E pikërisht mbi këtë bazë shkruhet, pastaj, në përfundim të Koncilit, letra që do t’u drejtohet “vëllezërve” të ardhur nga “paganët”. Çka komunikohet në të, është fryt i mendimit të përbashkët, larg manovrave  e polemikave, të përdorura nga ata, që duan të mbjellin farën e sherrit.

“Një Kishë, në të cilën nuk ka kurrë probleme të tilla, më bën të mendoj se  në të Shpirti Shenjt nuk është edhe aq i pranishëm. E në një Kishë, ku ka gjithnjë grindje e grupazhe e vëllezërit e tradhtojnë njëri-tjetrin, natyrisht nuk mund të jetë i pranishëm Shpirti Shenjt! Shpirti Shenjt është ai, që sjell risi, që i vë në lëvizje situatat,  për të ecur përpara. Shpirti i Zotit krijon hapësira të reja, krijon urtinë e premtuar nga Jezusi: “Ai do t’ju mësojë”. Vë në lëvizje, e në fund, krijon unitetin plot harmoni ndërmjte të gjithëve.

Besnikë ndaj “lëvizjeve” të Shpirtit

Për vërejtjen e fundit, Papa Françesku u bazua mbi fjalët,  përdorur nga Etërit konciliarë për të përfunduar letrën. Fjalë, që flasin vetë për frymën e e harmonisë së krishterë. Nuk janë thjesht akt vullnetmirë, por fryt i Shpirtit Shenjt:

“Këtë na mëson sot ky lexim, që vjen nga Koncili I ekumenik: ‘Na u duk punë e mirë, Shpirtit Shenjt e ne’: kjo është formula, kur Shpirti Shenjt krijon mirëkuptimin e përgjithshëm. Tani ta vijojmë kremtimin eukaristik e t’i lypim Zotit Jezus të jetë i pranishëm ndërmjet nesh, t’ia dërgojë gjithnjë Shpirtin Shenjt secilit nga ne. T’ia dërgojë Kishës, që Kisha t’i qëndrojë përherë besnike lëvizjeve, që bën Shpirti Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.