2015-05-08 16:39:00

Lutja drejtuar Zojës së Pompeit për paqen dhe të krishterët e persekutuar


Mijëra besimtarë, sot, në Pompei, për lutjen e mesditës drejtuar Zojës Rruzare. Lutjes së lashtë i parapriu kremtimi eukaristik, kryesuar nga kardinali Beniamino Stella, prefekt i Kongregatës për Klerin. Të shumtë, besimtarët që, posaçërisht në muajin e majit, shtegtojnë drejt qytezës së Zojës, për t’i kërkuar ndërmjetësim për veten, të afërmit, botën mbarë. E pyetëm imzot Tommaso Caputo-n, kryeipeshkëv-prelat i Pompeit, ç’lutje t’i drejtojmë Marisë për botën e sotme:

Përgjigje: - Të lutemi posaçërisht për paqen, që të mbretërojë në zemrat e njerëzve e në mes të popujve. Sidomos në ato vende, ku  vijojnë konfliktet më të ashpra. Nuk duhet të harrojmë të lutemi edhe për Papën, Kishën, që duke iu nënshtruar veprimit të Shpirtit Shenjt, të vijojnë ta dëshmojnë Jezusin me fjalë e me shembull. E mendimi nuk mund të mos shkojë tek të krishterët e persekutuar në të katër anët e botës, tek të sëmurët, njerëzit, që kalojnë prova të vështira, vuajtje fizike, morale, tek refugjatët. E mendoj përsëri për gratë e fëmijët e ardhur nga Afrika, mbi varkat në mëshirë të dallgëve të detit, që arrijnë edhe këtu, janë këtu sot, në Pompei, të mikpritur pikërisht në Shtëpinë e Zojës.   








All the contents on this site are copyrighted ©.