2015-05-08 17:06:00

Italia kremton Dante Alighierin 750-vjet pas lindjes


Është një nga takimet më të rëndësishme parashikuar për vitin 2015: takim me Danten (Firenze, ndërmjet 22 majit e il 13 qershorit 1265 – Ravenna, 14 shtator 1321), në ditëlindjen e tij të 750-të. Poetin gjenial mund ta takojmë përsëri në qytete si Firence, Ravenna, Verona, Roma, ku ravgoi sa ishte gjallë, ndër kremtime e kuvëndime ndërkombëtare. Të hënën e kaluar, në Pallatin romak Madama, artisti i mirënjohur italian Roberto Benigni, foli me zërin e Poetit fiorentin, në praninë e presidentit Matarella, të kardinalit Ravasi e të autoriteteve të tjera të botës së kulturës e të politikës, sepse në “Convivio” (Gostia- vepër enciklopedike e Dantes) ka ushqim të zgjedhur për  të gjithë.  Ndërmjet të pranishmëve, edhe profesor Eugenio Gianni, kryetar i Shoqatës Danteske italiane të Firencës. E intervistuam:

Përgjigje: - Figura e Dantes është më aktuale se kurrë, sepse Komedia e tij, së cilës pasardhësit i shtuan epitetin “Hyjnore”, për vlerat e saj të pallogaritshme fetare, humane, shkencore e artistike, mbetet në shekuj një nga krijimet më të rëndësishme të pendës njerëzore. Nuk është fjala vetëm për vlera gjuhësore, por për gjithë përmbajtjen, me nota të përhershme aktuale. Aty mund të njihesh me arritjet e epokës në të gjitha fushat e dijes, duke nisur nga njohuritë teologjike e filozofike, për të kaluar tek ato historike, gjeografike e, natyrisht, letrare. Nga vepra e Dantes vijojnë t’i flasin botës figurat më të shquara të epokës danteske. Vijojnë të rijetojnë ngjarjet më të spikatura, me paralelizma të forta aktuale. Figurativisht, kuptohet. Na e la ai vetë trashëgim mundësinë për t’i lexuar e për ta kapë kuptimin e tyre alegorik:

“O ju, që e keni mendjen e shëndoshë

Mësimin zbuloni që mshehet

Nën mbulesën e vargjeve të çuditshme”

Prej këndej, Dante është vërtet babai i gjuhës italiane, por edhe intelektuali i gjithanshëm, që të jep lajme e njohuri, të cilat nuk e kanë humbur interesin as sot, 750 vjet pas lindjes së tij.

Pyetje: - Në qytete të ndryshme italiane, ndërmjet të cilave, Roma e Firence, parashikohen një mori nismash, për ta kujtuar këtë jubile. Cili është emëruesi i përbashkët i të gjitha nismave?

Përgjigje: - Pa dyshim, udha që përshkoi Poeti në  “Mes të shtegtisë së kësaj jetë/ I gjetun në një pyll krejt errësi,/ se kishte humbë ai rrugën e vërtetë”. E pastaj, zbritja, udha e nëndheshme, ku gërgëlojnë veset njerëzore me fytyra të njohura, që qenë e janë ende mbi tokë. Duke kapërcyer derën e ferrit përskaj të Jeruzalemit, takojmë së pari ata, që nuk kanë bërë mirë as keq, fëmijët e papagëzuar e paganët e virtytshëm. Janë aty, sepse të lindur para Krishtit. Nisin, pastaj, me radhë, mëkate mëkatarë, gjithnjë në zbritje në thellësitë e gropës së zjarrtë: mëkatarët e epshit, grykësit, koprracët e dorëlëshuarit, idhnakët e të zymtit, heretikët, vrasësit, vetëvrasësit, dhunuesit kundër Perëndisë. A nuk janë aktuale këto vese, ndoshta nganjëherë edhe më shumë se në kohë të  Dantes? Me gjithë dënimet e tyre? E vese të tjera, poshtë e më poshtë rretheve të skëterrës, ku takojmë mashtruesit e femrave, lajkatarët, simoniakët, që i blejnë postet kishtare me para, fallxhorët, batakçinjtë, hipokritët, hajdutët, këshilltarët dinakë, mbjellësit e ndasive, falsifikuesit. E kështu, hap pas hapi, ne në shoqëri të Dantes, ai, të Virgjilit, arrijmë te Kaina. Te rrethi i tradhtarëve e te Luciferri, që përtyp në shekuj të shekujve në gojën e tij të hatashme, tre tradhtarët më të mëdhenj të historisë njerëzore, ata që tradhtuan bamirësit e tyre. Janë Juda, tradhtari i Jezusit, e Bruti me Kasin, vrasësit e Jul Cesarit. Judën tradhtar e shikojmë, përmes vargjeve danteske, me kokën në gojën e Luciferrit, në mes të liqenit të ngrirë akull të Koçitit.

Festimet kryesore do të mbahen në qytetet Danteske e, para së gjithash, në Firence, ku Dante jetoi deri në moshën 36 vjeçare si dhe në qytete të  tjera, ku kaloi 20 vjetët e fundit. Në ndeshjet politike të qytetit të lindjes, Dante mbajti krahun e Guelfëve. E më pas, kur pala guelfe, që e fitoi ndeshjen kundër gibelinëve, nga fundi i vitit 1200, u nda në dy fraksione, të bardhë e të zinj, të parët, të prirë nga familja Cerchi, të dytët, nga Donatët, ai luajti rol të dorës së parë në krahun e të bardhëve. E kur ky krah u mund, u detyrua të merrte udhën e mërgimit. Ishte një ditë e valë gushti e vitit 1301, kur Dante nisi një udhë pa kthim, nëpër të cilën do të ravgonte deri në vdekje. Një herë nëpër Toskanë, pastaj në Padovë, Veronë e së fundi, në Ravenë ku, i mikpritur nga Guido da Polenta, kaloi ditët e fundit të jetës, deri në vdekje, më 14 shtator 1321. Pasi e kishte përfunduar veprën monumentale. Në të gjitha viset, ku shkeli këmba e Poetit gjenial, kanë nisur tashmë kremtimet, çastet e reflektimit, kujtimet e veprimtari të tjera. Kremtime do të ketë edhe në Romë, ku Dante do të jetonte çastet më të mprehta të konfliktit ndërmjet papatit e perandorisë. Manifestimet nisën që në ditët e para të prillit, me një takim kushtuar librave të Dantes për të vijuar deri në ditën e lindjes së tij, që do të kremtohet në Palazzo Vecchio.

Pyetje: - Në dhjetor hapet Jubileu i Mëshirës, sipas dëshirës së Papës Françesku. A do të kujtohet edhe tema e Provanisë Hyjnore, e pasqyruar në veprën madhore të Dantes?

Përgjigje: - Me këtë Jubile, Papa Françesku deshi të krijojë një mundësi të madhe, një mënyrë për ta lartuar vetë konceptin e Provanisë Hyjnore, koncept tejet i dashur për Danten, që e pasqyroi me fe të thellë, në një epokë kur kjo nuk ishte aspak e natyrshme. E pikërisht koncepti i Provanisë Hyjnore jetohet thellë në Komedi, falë pranisë së Virgjilit e të Beatriçes. Muza  i frymëzon Dantes ndjesi fisnike, vlera ideale, të cilat i prijnë te Zoti, koncepte, që mundohen të shprehin, me laicitet të thellë, të pashprehshmen: madhërinë e Zotit:

“Oh sa e vorfën asht e forcë-pakë

Shprehja për këtë koncept! Kjo më mundon,

se e di se fjala “pak” prap asht e pakë.

O Dritë e amshueme, që n’vehte qëndron,

vehten kupton, nga vetja e kuptueme

dhe, tue e kuptue, vetë gëzon e don”(Parajsa 121-124-130)

Kështu e kundron Hyjin Dante e, në këtë kundrim, në figurën e Zotit “I duket pikzue vetë pamja jonë njerëzore”. Poeti shikon njeriun, në Hyjin.








All the contents on this site are copyrighted ©.