2015-05-07 14:08:00

Françesku: dashuria tregohet me vepra dhe komunikohet


Papa Françesku e kremtoi sot meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, duke e përqendruar homelinë në kriteret e dashurisë së vërtetë, e cila – tha – duhet të jetë konkrete e komunikuese. Edhe murgjërit e mugeshat e klauzurës nuk izolohen nga bota, por komunikojnë shumë.

Dashuria e vërtetë është konkrete dhe e qëndrueshme

         Në Ungjillin e sotëm, Jezusi kërkon “të mbetemi në dashurinë e tij”. Ka dy kritere për të kuptuar nëse dashuria është e vërtetë, apo jo, shpjegoi Ati i Shenjtë. Së pari, ajo duhet të tregohet me fakte konkrete:

         “Pra, dashuria e vërtetë është konkrete, shihet me vepra, është dashuri e qëndrueshme. Nuk është entuziazëm i thjeshtë. Madje, nganjëherë, është dashuri e dhimbshme: të mendojmë për dashurinë e Jezusit, ndërsa mbart kryqin. Por veprat e dashurisë janë ato që Jezusi na mëson në kapitullin 25 të Ungjillit sipas Mateut. Ky është protokolli i gjykimit për dashurinë: isha i uritur, më dhe të ha, etj., etj. …Konkretisht. Edhe lumnitë, ‘programi baritor’ i Jezusit, janë konkrete”.

Murgjërit e murgeshat e klauzurës komunikojnë… e shumë madje

         Edhe dashuria e Atit Qiellor është konkrete, pasi na ka dërguar Birin e vet për të na shëlbuar, theksoi Papa, duke përmendur më pas kriterin e dytë të dashurisë, e cila komunikohet. Dashuria jep e merr diçka, realizon një komunikim të ngjashëm me atë ndërmjet Atit Qiellor e Birit të tij, një komunikim, që e bën të mundur Shpirti Shenjt:

         “Nuk ka dashuri pa komunikim, nuk ka dashuri të izoluar. Por, ndokush mund të më thotë: ‘O Atë, murgjërit dhe murgeshat e klauzurës janë të izoluar’. Por ata komunikojnë… e shumë, madje: me Zotin e, edhe me ata, që shkojnë të kërkojnë fjalën e Zotit… Dashuria e vërtetë nuk mund të izolohet. Nëse izolohet, nuk është dashuri. Është një formë spiritualiste e egoizmit, e mbylljes në vetvete, duke kërkuar përfitimin vetjak… Është egoizëm”.

E thjeshtë, por jo e lehtë, sepse egoizmi na tërheq

         Pra, përfundoi Papa Françesku, “të mbetemi në dashurinë e Jezusit” do të thotë të bëjmë diçka të mirë e të hyjmë në dialog si me Zotin, ashtu edhe me vëllezërit:

         “Është kaq e thjeshtë kjo, por jo e lehtë. Sepse egoizmi, interesi vetjak, na tërheq e na thotë të mos bëjmë e të mos komunikojmë. Çfarë thotë Zoti për ata, që mbeten në dashurinë e Tij? ‘Jua them këto gjëra, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë’. Jezusi, që mbetet në dashurinë e Atit është i gëzuar, “e nëse ju do të mbeteni në dashurinë time, [- na thotë -] gëzimi juaj do të jetë i plotë’: gëzim, që shpesh vjen bashkë me kryqin. Por atë gëzim – vetë Jezu na ka thënë – askush nuk mund t’jua shlyejë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.