2015-05-06 15:13:00

Në vitin 2014 u arrit shifra rekord prej 38 milion të shpërngulurish


Numri i njerëzve të ikur nga vendi i tyre për shkak të konflikteve, apo dhunës, ka arritur shifrën rekord prej 38 milion vetësh, sa banorët e Londrës, Nju Jorkut dhe Pekinit, marrë së bashku. Çdo ditë, 30 mijë vetë detyrohen të braktisin shtëpitë. “Këto statistika janë më të këqiat e këtij brezi e sinjalizojnë dështimin e plotë të mbrojtjes së civilëve të pafajshëm”, komenton sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, Jan Egeland.

Dështimi i diplomacisë para njerëzve të armatosur e të pamëshirshëm

         “Diplomatët e të gjithë botës, rezolutat e Kombeve të Bashkuara, bisedimet për paqen dhe marrëveshjet për armëpushim e kanë humbur betejën kundër njerëzve të armatosur e të pamëshirshëm, të nxitur nga interesa politike ose fetare e, edhe nga imperative njerëzore”, deklaron Egeland. “Ky raport duhet të shihet si kumbonë alarmi. Duhet t’i vemë pritë prirjes së mbërthimit të miliona burrave, grave e fëmijëve në zonat e konfliktit të të gjithë botës. 38 milion njerëz vuajnë shpesh në kushte të tmerrshme, pa shpresë e pa të ardhme. Nëse nuk angazhohemi për ta ndryshuar qëndrimin tonë, vala e këtyre konflikteve do të vazhdojë të na persekutojë edhe në vitet në vazhdim”, ngre zërin Egeland.

Të dhënat e Raportit Global Overview 2015

60% e të shpërngulurve të rinj gjendet në pesë vende: Irak, Sudan i Jugut, Siri, Kongo dhe Nigeri. Civilët irakianë janë ndër viktimat kryesore të eksodeve të reja të brendshme, me së paku 2,2 milion të ikur, vetëm në vitin 2014. Së paku 40% e popullsisë siriane, që do të thotë 7,6 milion vetë, janë shpërngulur e kjo është shifra më e lartë e botës. Fushata e Boko Haramit për të kontrolluar territorin e për të imponuar ligjin islamik në verilindje të Nigerisë i ka detyruar qindra mijëra vetë të lënë shtëpitë e tyre e të strehohen gjetiu.

Eksod edhe në Evropë me luftën në Ukrainë

         Për herë të parë, në më shumë se dhjetë vjet, edhe Evropa ka pasur eksodin e vet masiv, kryesisht, për shkak të luftës në Ukrainë, e cila ka shtrënguar 646.500 njerëz të braktisin vendin gjatë vitit 2014. Raporti mbledh shifra e statistika nga qeveritë, organizata të ndryshme e agjenci të OKB-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.