2015-05-06 16:23:00

Më 14 maj, në Vatikan, koncert për të varfërit, me të varfërit


Bamirësia në flatrat e muzikës. Do të jetë kjo, melodia që do të lartohet në Sallën e Palit VI, në Vatikan, më 14 maj, në atmosferën e Solemnitetit të të Shëlbuemit, gjatë koncertit, organizuar për të mbështetur veprat e bamirësisë së Papës. Shfaqja, nën kujdesin, ndërmjet tjerësh, të Lëmoshtarisë Apostolike, u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

“Me të varfërit, për të varfërit”. Ky, lajtmotivi i koncertit që, më 14 maj, do ta lidhë ngushtë muzikën me bamirësinë. Veçse programi muzikor nuk do të jetë i varfër, siç nënvizon atë Ciro Benedettini, zëvendës-drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit:

“Kemi Orkestrën Filarmonike Salernitane ‘Giuseppe Verdi’, drejtuar nga Mjeshtri me famë botërore, Daniel Oren dhe Korin e Dioqezës së Romës, drejtuar nga Mjeshtri Marco Frisina, që është edhe autor i melodive”.

Pentagrami i jetës, tha imzot Giovannni Ravelli, kryetar zyre i Lëmoshtarisë Apostolike, ka ndërmjet notave, më të bukurën, atë të bamirësisë. Koncerti, shtoi, do të ketë të ftuar të shquar:

“Protagonistët absolutë të kësaj ngjarjeje janë vëllezërit tanë më nevojtarë. Ata janë mysafirët e shquar. E ata do të kenë edhe vendin e nderit. E jo sepse duam të dukemi të mirë ‘për shihni botë’, por sepse duhet të mësohemi të shikojmë se në ta është Jezusi”.

Imzot Ravelli kujtoi, më pas, angazhimin e përditshëm të Lëmoshtarisë Apostolike për më të varfërit:

“Kjo, që bëjmë çdo ditë, mundësohet nga Fondi i bamirësisë, të cilin e kemi në dispozicion. Hyrjet janë fryt i dhurimeve nga ana e privatëve, e disa grupeve, enteve e edhe fryt i veprimtarive të organizuara, si  ato, që po mblidhen me lotarinë e 30 qershorit. Kujtojmë pastaj, ofertat që arrijnë drejtpërdrejt nga dora e Atit të Shenjtë. Shumat më të mëdha, që hyjnë në Lëmoshtarinë Apostolike, vijnë nga leja e Papës Leoni XII për të dhënë  Bekime Apostolike në pergamenë”.

Koncerti do të arrijë kulmin me një këngë, që do t’i përfshijë gjithë pjesëmarrësit, kujtoi Imzot Marco Frisina, drejtor i Korit të Dioqezës së Romës:  

“Nuk do të ketë më këngëtarë e dëgjues. Dëshiroj që të gjithë, 7 mijë dëgjuesit, të këndojnë bashkë me ne. E çka do të këndojnë? Këngën e Moisut. Këngën e të shëlbuarve, atë, që na e kujton Libri i Zbulesës: ‘Do të këndojmë në Parajsë përgjithmonë’. Prej këndej, duhet t’i bëjmë që këtu provat e kësaj kënge. Do të jetë e bukur të këndohet me familjet, me të varfërit, me të lënët mënjanë, me të vuajturit, refugjatët, të dëshpëruarit e të rinjtë. Këngë e njëzëshme”.

Për të marrë pjesë në koncertin, që do të shfaqet në Sallën e Palit VI, ku mund të lihet një ofertë e lirë, biletat falas mund të sigurohen përmes faqes së internetit www.corodiocesiroma.com.

  








All the contents on this site are copyrighted ©.