2015-05-06 18:09:00

Francë: urdhër për heqjen e monumentit të Gjon Palit II


I shtohet një faqe e re, në Francë, diskutimit mbi interpretimin e respektit të parimit të laicitetit, sipas Kushtetutës, si dhe mbi ligjin e ndarjes së Kishës nga Shteti, të 9 dhjetorit 2006. Këtë radhë, në qendër të vëmendjes është monumenti i ngritur për nder të Gjon Palit II, më 2006, në një Shesh të Ploërmel, në departamentin e Morbihan të Bretanjës. Këto ditë, shkruan “L’Ossrervtaore Romano” gjykata administrative e Rennes, dha urdhër të hiqet, sepse u bie ndesh normave mbi laicitetin.

Qenkërka “jashtë ligji” vendosja e shtatores në shesh

Më saktësisht, gjykatësit shpjeguan se jashtë ligji nuk është aq shtatorja prej bronzi, që paraqet Papën (me frazën mirënjohur: “Mos kini frikë!”) sa vendosja e saj në shesh, nën një hark, në majë të të cilit lartohet Kryqi. Tetë metra gjatësi gjithsejt. Sipas gjykatës, monumenti, për vendvendosjen dhe përmasat e tij, krijon përshtypjen se është aty thjesht për të rënë sa më shumë në sy, duke iu kundërvënë, kështu, Kushtetutës, që nënvizon karakterin laik të Republikës franceze  si dhe ligjit të viti 1905 për ndarjen e Kishës nga Shteti.

Kryetari i Bashkisë i bën thirrje Këshillit të Shtetit

Urdhëri është i qartë: monumenti duhet hequr nga  vendi ku ndodhet sot. Gjykatësit i dhanë Komunes së Ploëmerl gjashtë muaj afat për ta zbatuar urdhërin: “E kuptoj fare mirë se nuk është shtatorja, që i shqetëson kundërshtarët, po harku dhe Kryqi në majë të tij. Mjafton t’i heqim këto,  por unë nuk mund ta bëj këtë, pa lejën e artistit”, deklaroi kryebashkiaku, duke shpjeguar edhe se monumenti në Sheshin publik nuk i kushtohet Burrit të madh të Kishës, por “Burrit të madh të Shtetit”.

Artisti rus do ta kundërshtojë çdo lloj modifikimi

Nga ana tij, artisti, rusi Zourab Tsereteli, i bëri me dije kryebashkiakut të Ploëmerl se do t’i kundërvihet çdo modifikimi të tërësisë së veprës (mbrojtur nga ligji mbi pronësinë intelektuale), sepse harku e Kryqi janë pjesë e pandarë e Monumentit. Por, vëren gazeta “La Croix”, në se kryqi nuk mund të hiqet, do të hiqet i tërë monumenti, për t’u rivendosur kush e di se ku.

Polemikat nisën që më 2010

Polemikat patën nisur që kur u vendos monumenti (dhjetor 2006) në Sheshin e ripagëzuar me emrin “Gjon Pali II”. Vepra nuk ngjalli më polemika deri në janar 2010, kur një gjykatë e deklaroi ilegale  ndihmën prej 4.500 euro, derdhur në vitin 2006 nga departamenti i Morbihan. E polemikat lindën pas akuzës se u përdorën fonde publike për financimin e piedestalit të shtatores si dhe për ceremoninë e përurimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.