2015-05-06 14:04:00

7 mijë fëmijë të “Fabrikës së paqes” takohen me Papën më 11 maj


7 mijë fëmijë priten të hënën, më 11 maj, në Vatikan, për të folur me Papën Françesku për paqen, dashurinë, mikpritjen, integrimin. Është ky, takimi i parë i organizuar nga “Fabrika e paqes”, nismë e paraqitur dje. Synon të mobilizojë sa më shumë energji të jetë e mundur – institucione, media, organizma kishtare, organizata jo qeveritare, forca të punës e të politikës – për të ndërtuar tani e në të ardhmen, një botë në paqe. Të pranishëm në konferencën e djeshme, në selinë e Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) në Romë, eksponentë të shkollës, të politikës, të diplomacisë e të Kishës. I jepet rëndësi e veçantë edukimit të paqes, sidomos edukimit të fëmijëve me frymën e paqes, siç na shpjegon një nga nismëtaret, psikologia e njohur italiane, Maria Rita Parsi:

         Sepse fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e, atyre duhet t’u dorëzojmë një botë, që duhet paqtuar, përndryshe planeti nuk do të arrijë t’i kapërcejë traumat e vazhdueshme. Tashmë, agonia e luftrave, e konsumimit të planetit, e dhunës - së bashku me botën virtuale, që jeton paralelisht me atë reale - ka arritur në atë pikë sa, nëse nuk vendosim rregulla e norma, nëse nuk gjejmë mënyrën për të qenë tolerantë, për t’u bashkuar, për t’u ballafaquar e dialoguar, besoj vërtet se nuk do të ketë të ardhme për planetin! Për rrjedhojë, nuk do të ketë të ardhme për fëmijët, për adoleshentët e të rinjtë e sotëm.

         Pse keni zgjedhur fjalën “fabrikë”?

         Sepse paqja duhet ndërtuar tullë pas tulle e tullat e kësaj fabrike janë fëmijët. Janë burimi i vërtetë i ndryshimit. Ata mund të bëjnë një revolucion të mirëfilltë të zemrës. Duam të përfshijmë shkollat, familjet, mjetet e komunikimit masiv, institucionet, pra, ata që edukojnë. Kërkimi i paqes duhet të jetë aksion për një ndryshim të thellë kulturor. Njerëzit duhet të mendojnë për paqen njëlloj si për ujin, që po mbaron; njëlloj si për urinë, që duhet zhdukur. Të gjitha mundësitë për ta ndryshuar e shndërruar botën kalojnë përmes dialogut e tolerancës, përmes paqes.

         Fëmijët do të jenë të lirë të flasin me Papën Françesku, i cili do t’i presë në Sallën Pali VI, siç shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

         Papa është gjithnjë i kënaqur kur flet me ta, kur bën shaka, kur i pret… Kjo veprimtari edukative, që përpiqet të nisë nga shkolla fillore për të edukuar paqen me metoda të përshtatshme, duke takuar fëmijë me kushte të ndryshme, me etni e fe të ndryshme, është ide e rëndësishme e shpresojmë të krijojë lëvizje globale. Papa flet për një “pakt edukativ” ndërmjet familjeve, shkollës, shoqërisë; flet për një “fshat” – siç e quajnë afrikanët – të nevojshëm për të edukuar çdo fëmijë, pra një realitet komunitar mjaft të gjerë për të edukuar; e flet për një kulturë takimi, që kapërcen çdo dallim, çdo kufi – edhe të tipit fetar – për të mirën e shoqërisë. Prandaj, Papa mund ta frymëzojë shumë këtë projekt. Shpresojmë të japë fryte të mira.








All the contents on this site are copyrighted ©.