2015-05-05 14:56:00

Kishat e Evropës takohen me Papën Françesku


“Liria dhe liritë: këndvështrim i krishterë”: kjo do të jetë tema e takimit vjetor të Komitetit të përbashkët të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) dhe të Konferencës së Kishave Evropiane (KEK), që do të zhvillohet në Romë, duke filluar nga data e nesërme e deri më 8 maj. Paraditen e së enjtes, 7 maj, informon një notë, pjesëmarrësit do të priten nga Papa Françesku dhe do të takohen me ambasadorin e Britanisë së Madhe pranë Selisë së Shenjtë, Sir Nigel Baker.

I pranishëm, imzot Angelo Massafra

Këndvështrimi i krishterë mbi këtë të drejtë themelore, siç është liria e njeriut, si edhe mbi zbatimin e saj në nivelin shoqëror e politik në Evropën e sotme, do të paraqitet nga tri pikpamje: katolike, protestante dhe ortodokse. I pranishëm edhe kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës, imzot Angelo Massafra, si zv.kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Tema, mbi të cilën do të flasë ai, është: “Zëri publik i Kishave brenda një shoqërie të individualizuar”.

Mesazhi përfundimtar, më 8 maj

Ditët e takimit do të karakterizohen edhe nga lutjet sipas traditave të ndryshme të të krishterëve të pranishëm. Më 8 maj do të miratohet një mesazh përfundimtar, i cili do të bëhet i njohur po atë ditë, në një konferencë për shtyp, në mesditë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.