2015-05-04 13:59:00

Papa takon Rojet Zvicërane


“Të jeni ‘manifest’ i Selisë së Shenjtë! Transmetojeni me fisnikëri e kompetencë dashurinë më të madhe, që buron nga  miqësia me Krishtin”. Këtë pohoi sot Papa Françesku, duke u takuar me Rojet Zvicërane dhe familjarët e tyre. Këto ditë përkujtohen 147 ushtarët helvetikë të vrarë gjatë Plaçkitjes së Romës, më 1527, për të mbrojtur Papën Klementi VII. Të premten e kaluar, pas emërimit të Komandantit të ri të Rojës Zvicërane, Kolonelit Christoph Graf,  Papa mori pjesë në ceremoninë e përurimit dhe të bekimit të flamurit të ri të Truprojës. Ndërsa të mërkurën e ardhshme, në Oborrin e Shën Damasit  të Pallatit Apostolik, do të betohen 32 rekrutë të rinj.

“Të ndjeni” me Krishtin e me Kishën

Shërbimi i Rojeve Zvicërane, tha Papa, frymëzohet nga miqësia  e veçantë, e bazuar mbi  dashurinë e Krishtit: “Krishti është Mbreti i vërtetë. Ai ecën përpara e miqtë e tij e ndjekin pas. Ushtari i Krishtit merr pjesë në jetën e Zotit të tij. Kjo është thirrja juaj: të merrni mbi vete shqetësimet e Krishtit, të jeni shokët e Tij. “Roja Zvicërane është njeri, që kërkon ta ndjekë vërtetësisht Zotin Jezus, e do në mënyrë të veçantë Kishën, është i krishterë me fe të vërtetë”.

Ta jetoni fenë me Ungjill në dorë

Ati i Shenjtë i nxiti Rojet Zvicërane ta jetojnë fenë në Sakramente e duke lexuar ditë për ditë Ungjillin: “Këtë, që ua them të gjithëve, po jua kujtoj dhe ju. Mbajeni gjithnjë me vete një Ungjill të vogël, për ta lexuar kur të keni një çast prehjeje. Ju ndihmon edhe lutja personale, posaçërisht Rruzarja, kur bëni “Roje nderi”. E edhe shërbimi ndaj më të varfërve, atyre, që  kanë nevojë për një fjalë të mirë”...

Rojet Zvicërane, manifest i Selisë së Shenjtë

Duke takuar një mori njerëzish, kujtoi Papa, Rojet Zvicërane e transmetojnë me fisnikëri e kompetencë dashurinë më të madhe, që buron nga miqësia me Krishtin. Në të vërtetë, shtoi, ju, Rojet Zvicërane, jeni manifest i Selisë së Shenjtë! Ju falënderoj e ju inkurajoj për këtë!

Falënderimi i Papës

Duke kujtuar, në përfundim, shërbimin e kryer nga Rojet Zvicërane, Papa e vlerësoi lart dhe i falënderoi për lutjet e tyre. Mos harroni, u tha, edhe unë lutem për ju e për të dashurit tuaj, duke ia besuar jetën e shërbimin që bëni, pajtorëve tuaj, Shën Martinit, Shën Sebastianit e Shën Nikollës së Flüe. “Ju bekoj me gjithë zemër!”.

Kujtojmë se pas emërimit, më 7 shkurtin e kaluar, të Komandantit të ri të Rojës Zvicërane, Kolonelit Christoph Graf, të premten e kaluar, në Vatikan, u mbajt ceremonia e përurimit dhe e bekimit të Flamurit të ri të Truprojës. Në orën 17.00, sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, kremtoi Meshën në Kishën e Varrezës Teutonike, me bekimin e Flamurit. Më pas, në Lagjen e Rojës, u kremtua “Akti ushtarak”, në të cilin, për çudinë e shumicës së të pranishmëve, mori pjesë edhe Papa Françesku.

Pasi dëgjoi fjalimin e Komandantit të ri e duke e marrë shtytjen prej tij, Papa u drejtoi disa fjalë të pranishmëve, duke i uruar komandantit të ri, me fjalë frymëzuese e të përzemërta, shërbim të mbarë: “Komandanti duhet të jetë njeri i bashkimit, i përzemërsisë, i dashurisë e edhe njeri i përvujtërisë”, tha Papa e, më pas, i uroi të jetë atë për rojet e tij e të kërkojë, në lutje, që Shpirti Shenjt të mbjellë e të rrisë dashuri e bashkim ndërmjet gjithë anëtarëve të Truprojës. Papa pëfundoi duke kujtuar moton e Rojës Papnore: “Guxim e Përvujtëri”.

Të komandosh me frymë ungjillore, do të thotë të shërbesh, kujtoi Papa e, në përfundim, u dha bekimin Komandantit të Truprojës si dhe familjarëve,  miqve e dashamirëve të pranishëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.