2015-05-03 11:02:00

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar 3 - 10 maj


E diel 3 maj, Kisha katolike kremton të dielën e 5.të Pashkëve e po më 3 maj, kalendari përkujton edhe Shenjtorët Filipin e Jakun e Vogël, Apostuj dhe shën Evecin, Aleksandrin e Teodulin, martirë.  Shembulli i tyre na kujton se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin në Shpirtin Shenjt. Jezusi na prin tek Ati për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte Hyjnore. Liturgjia e ditës na kujton se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin Qiellor në Shpirtin Shenjt. Jezu na prin drejt Atit për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte.

Të hënën më 4 maj, kalendari përkujton Shën Florianin e Shën Antoninën martire. Liturgjia e shenjtë i jep përgjigje pyetjes jetike që i bën vetes çdo njeri: prej nga vijmë, pse jetojmë e ku shkojmë? Kush beson në Krishtin, nuk ka frikë nga vështirësitë, e as nga vetë vdekja. Ai na përgatit një vend e na merr me vete, sepse na do. Gjithë jeta e Tij dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend edhe për ne.

Të martën më 5 maj, kalendari përkujton Shën Angjelinin dhe të Lumin Nuncio Sulpricio nga Napoli. Liturgjia e ditës na kujton s e gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja dhe ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh neve në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon tek Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt. 

Të mërkurën më 6 maj, kalendari përkujton Shën Marjanin e Shën Jakun, martirë. Liturgjia e ditës pohon se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”.

Të enjten më 7 maj, kalendari përkujton Shën Florianin, Shën Flavia Domitilen, martire romake; Shën Flavianin e Augustinin dhe të Lumën Roza Venerini, virgjër e themeluese të Motrave ‘Mësuese të Përshpirtshme Venerini’. Liturgjia na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurt në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljes. Jezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji.

Të premten më 8 maj, kalendari kremton festën e Zojës së Bekuar të Pompejit; Shën Viktorin, martir të Milanos, Shën Benediktin e II, papë, dhe Shën Magdalenën e Kanosës. Kujtojmë se në festë, në mes ditë, besimtarët i drejtojnë lutjen Zojës së Bekuar Rruzare të Pompejit. Liturgjia e ditës na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës, e cila këtë ditë ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar.

Të shtunën më 9 maj, kalendari përkujton Shën Pakomin, abat dhe Shën Izainë, profet. Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.

Të dielën e ardhshme më 10 maj, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 6-të e Pashkëve, e po më 10 maj, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Jordanin, martir; Shën Jobin, Shën Kataldi dhe të Lumin Nikola Albergatin. Dashuria ndaj Hyjit e ndaj të afërmit është lajtmotivi i liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të kohës së pashkëve. Në Ungjill, Gjoni apostull kumton se të pagëzuarit në Krishtin nuk janë më shërbëtorë, por miq të Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.