2015-05-03 14:38:00

Papa: të krishterët e vërtetë i bëjnë mirë të afërmit e shoqërisë


“Nëse i krishteri e jeton fenë e vet gjithnjë në bashkim me Krishtin, mund t’i bëjë shumë mirë të afërmit e mbarë shoqërisë”. E pohoi Papa gjatë lutjes së sotme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 50 mijë vetëve. Pas lutjes mariane, i drejtoi një përshëndetje të posaçme Shoqatës “Méter”, në përkim me Ditën e fëmijëve viktima të dhunës. “Çdo njeri, pohoi, duhet ta ndjejë veten gjithnjë të mbrojtur”.

I krishteri, siç e thotë fjala vetë, njihet mirë në mes të masës, sepse  ka mendime e sjellje të ndryshme, të frymëzuara nga e mira e përbashkët. E ndërsa rreth tij kërkohet leverdia e pakicës, ai është plot vëmendje për nevojat e shumicës. Duke jetuar mes njerëzve, që kanë sy për të parë vetëm vetveten, dobinë, interesin, fitimin e  vet, siguruar me djersën e tjetrit, ai e shikon botën me sytë e Zotit.

 Pa hardhinë, nuk mund të ketë shermend

“Por i krishteri mund të bëhet i tillë vetëm me një kusht. Atë, për të cilin foli Jezusi në Darkën e Mbrame: të jetë i bashkuar, i lidhur me Krishtin, si shermendi me hardhinë. E kjo, vijoi Françesku, është mënyra e re, e treguar prej Jezusit, që u bë e mundur nga Sakramentet, nga besnikëria ndaj Pagëzimit, nga lutja e përditshme, nga leximi i Ungjillit, me një fjalë, nga thellimi i vazhdueshëm i miqësisë me Zotin”.

Shermendët nuk lulëzojnë vetvetiu. Varen plotësisht nga hardhia, nga e cila thithin jetë. Kështu edhe ne të krishterët, të shartuar me Pagëzimin në Krishtin, morëm nga ai falas, dhuratën e jetës së re e mund të rrijmë në bashkim jetik me Zotin.

Dhurata, që bëjnë “shumë mirë”

Nga ky bashkim, vijoi Françesku, buron risia e krishterë, që mund të ndikojë mbi çdo marrëdhënie personale, mbi çdo mjedis shoqëror:

“Nëse njeriu bashkohet thellësisht me Jezusin, gëzon dhuratat e Shpirtit Shenjt që, siç na e kujton Shën Pali, janë  ‘dashuria, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, zotërimi i vetvetes’. Këto janë dhuratat, që vijnë, nëse njeriu është gjithnjë e më i njësuar me Jezusin. Si pasojë, i bën shumë mirë jo vetëm vetes, por edhe e kryesisht, të afërmit e mbarë shoqërisë, sepse është njeri i krishterë. Nga këto sjellje njihet i krishteri i vërtetë, ashtu si pema njihet nga frytet”.

Një mënyrë e re e qenies

Gjithçka shndërrohet në të krishterin, që rri i bashkuar me Jezusin: shpirti, mendja, vullneti, ndjenjat e edhe trupi, siguroi Françesku. E frytet e këtij bashkimi, Papa i quajti “të mrekullueshme”:

“Kështu bëhemi qenie e re, jeta e Krishtit bëhet jona: mund të mendojmë si Krishti, të veprojmë si Krishti, t’i shikojmë botën e sendet me sytë e Krishtit. Si pasojë, mund t’i duam vëllezërit, duke nisur nga më të varfërit e më të vuajturit, ashtu si bëri Zoti, e t’i duam me zemrën e Tij, duke i sjellë botës fryte mirësie, dashurie të krishterë, paqeje”.

Çdo njeri duhet mbrojtur

Në çastin e përshëndetjeve, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi lumnimin, kremtuar dje në Torino, të Luigi Bordino-s, laik i shuguruar i Kongregatës së Cottolengos, që e shkriu gjithë jetën për më të varfërit, duke lypur për ta e duke ua larë plagët.

Më pas Françesku i drejtoi një përshëndetje të veçantë, plot mirënjohje, Shoqatës Méter, në ditën kushtuar fëmijëve, viktima të dhunës, “për angazhimin e saj, nënvizoi, me të cilin përpiqet t’i parandalojë këto krime”. E komentoi:

“Të gjithë duhet të angazhohemi që çdo njeri, e posaçërisht fëmijët, të jenë përherë të  ruajtur e të mbrojtur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.