2015-05-03 15:18:00

Në Torino të Italisë u shpall i Lum, Luigi della Consolata


Dje në Torino të Italisë u shpall i Lum, Luigi della Consolata, rregulltar i Kongregatës së Vëllezërve të Shën Jozef Benediktit Kotolengo. Meshën e kremtoi përfaqësuesi i Papës Françesku, prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

        I Lumi quhej në shekull Andrea Bordino. Lindi në një fshat të Kuneos, më 12 gusht 1922. I ri, ishte sportist i njohur, por edhe i krishterë i mirë, i formuar në radhët e Veprimit Katolik. Gjatë Luftës II Botërore, mori pjesë në fushatën famëkeqe kundër Rusisë, gjatë së cilës u kap rob, së bashku me të vëllanë, në janar 1943. Njohu tmerret e kampeve të përqendrimit komunist në Siberi e pastaj në Mongoli. Në atë periudhë, kur ndihmonte shokët e kampit në mesin e të vdekurve dhe të ftohtit, mori jetë thirrja e tij rregulltare. Një nga të paktët, që e pa sërish shtëpinë e vet, flinte përtokë, kaq shumë i dukej e pamundur të kthehej në jetën normale. Më 23 korrik 1946 troket në portën e Cottolengo-s në Torino e bëhet fratel Luigi della Consolata. E shkriu jetën, duke shërbyer si infermier, deri në moshën 55-vjeçare, kur iu diagnostikua leuçemia. Vdiq më 27 gusht 1977, pas një jete shenjte, gjatë së cilës dëshmoi Krishtin, duke u shërbyer nevojtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.