2015-04-30 14:31:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: falja


Falja është lajmi i përditshëm për të cilin do të kishte nevojë bota. Na e kujton këtë edhe Ungjilli, në pjesën ku Jezu Krishti e fton Pjetrin ta falë të afërmin e vet fajtor shtatëdhjetë herë, shumëzim për shtatë, pra gjithmonë. Por çfarë është “falja”? Do ta shpjegojmë sot këtë fjalë, duke u nisur nga katekizmi i Papës së nderit Benedikti XVI.

 

         Bota nuk mund të përmirësohet, nëse nuk e kapërcejmë të keqen, pati thënë Ati i Shenjtë, në Mbrëmësoret e kremtuara në Aosta të Italisë, më 25 korrik 2005, gati i sapozgjedhur në fronin e Shën Pjetrit. Dhe e keqja mund të kapërcehet vetëm me anë të faljes. Natyrisht, falja duhet të jetë e vërtetë e këtë lloj faljeje mund të na e japë vetëm Zoti. Kjo falje, e largon të keqen jo vetëm me fjalë, por e shndërron atë. Se si ndodh kjo, na e shpjegon Papa:

         “Të falësh nuk është të mos e vrasësh mendjen, por të shndërrosh, të transformosh: Zoti duhet të hyjë në këtë botë e, oqeanit të padrejtësive t’i vendosë përballë oqeanin më të madh të së mirës e të dashurisë” (Mbrëmësoret në Aosta, 24 korrik 2005).

         Nuk ka drejtësi pa falje, kujton Benedikti XVI, por, njëkohësisht, falja nuk e zëvendëson drejtësinë e nuk do të thotë t’i bëjmë lëshime së keqes. Mëkati duhet denoncuar gjithmonë. Ky është kuptimi i faljes për krishterimin, i cili shkon edhe më tej, pasi bën të lindë një ide e re për drejtësinë. Ajo nuk kufizohet vetëm në dënimin e fajit, por pajton e shëron edhe aty ku nuk jemi në gjendje ta shprehim dashurinë për tjetrin, e cila, natyrisht, kërkon impenjim e sakrifica:

         “Ndërsa Zoti nuk lodhet prej nesh, nuk lodhet së pasuri durim me ne e me mëshirën e vet pa fund na paraprin gjithmonë, vjen të na takojë i pari” (Audienca e përgjithshme, 30 maj 2012).

         Në të vërtetë, falja ekziston para fajit, ashtu si jeta para vdekjes, ashtu si Zoti ekziston para njeriut. Mëkati i parë është mohimi i këtij rendi ekzistencial. Falja është mrekullia më e madhe e Hyjit, është sinonim i jetës, është shërimi, që Zoti na jep për të na çliruar nga kthetrat e vdekjes për shkak të mëkatit. Të falim shtatëdhjetë herë, shumëzim për shtatë, thotë Jezusi, sepse edhe ne vetë kemi nevojë që të tjerët të sillen me ne kështu, që të na falin, që të na falë Zoti:

         “Jezusi… na fton të bëjmë diçka të vështirë, të lutemi edhe për ata, që na bëjnë keq, na dëmtojnë, duke u mësuar të falim gjithmonë, që drita e Hyjit të na e shndrisë zemrën; Krishti na fton ta jetojmë, në lutje, të njëjtën mëshirë e dashuri, që Zoti ka për ne: ‘na i fal fajet e mëkatet tona, ashtu si i falim ne fajtorët tanë’, themi çdo ditë në ‘Atynën’”. (Audienca e përgjithshme, 15 shkurt 2012).








All the contents on this site are copyrighted ©.