2015-04-29 11:50:00

Papa: martesa e familja janë kryevepër e shoqërisë


Në Audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, para mase 20 mijë besimtarëve e shtegtarëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës, Papa Françesku vijoi katekizmin e tij mbi familjen e foli për martesën. “Reflektimi ynë vijon rreth planit të zanafillës të Hyjit mbi qiftin burrë-grua, e pasi kemi shqyrtuar dy tregimet e Librit të Zanafillës, tani i drejtohet drejtpërsëdrejti Jezusit. Gjoni ungjilltar, në fillim të Ungjillit të tij, rrëfen ngjarjen e martesës së Kanës së Galilesë, ku ishin të pranishëm Virgjëra Mari dhe Jezusi, me dishepujt e tij të parë (krh Gjn 2,1-11). Jezusi jo vetëm që mori pjesë në atë martesë, por e “shpëtoi festën” me mrekullinë e verës! Prandaj, shenjën e parë e tij të mrekullueshme, me të cilën Ai dëfton lavdinë e tij, e bëri në kontekstin e një martese, e gjest i një simpatie të madhe për atë familje që lindte, nxitur nga kujdesi amënor i Marisë. Nga koha e dasmës së Kanës, kanë ndryshuar shumë gjëra, por ajo “shenjë” e Krishtit përmban një mesazh përherë të vlefshëm” – tha Papa. “Sot nuk duket lehtë të flasësh për martesën si për një festë që përtërihet në kohë, në stinë të ndryshme të tërë jetës të të martuarve. Është një fakt që njerëzit sot martohen gjithnjë e më pak. Në shumë Vende përkundrazi rritet numri i ndarjeve, ndërsa ulet numri i fëmijëve. Vështirësia për të qëndruar së bashku – si qift, si familje – sjell në prishjen e lidhjeve me një rritje përherë e më të madhe, e fëmijët janë të parët ata që pësojnë e bartin pasojat” e kësaj prishjeje martesore e familjare. Në vijim Papa foli për vështirësitë jo vetëm ekonomike, por edhe për ndryshimet që janë regjistruar kohëve të fundit lidhur me shumë elemente që kanë ndikuar në jetën e qiftit e të familjes.
Në librin e Zanafillës, në testamentin e parë, “Zoti e përfundon veprën e krijimit dhe bënë një kryevepër, që janë burri e gruaja”, në ngjarjen ungjillore të dasmës së Kanës, në besëlidhjen e re, “Jezusi nis mrekullitë e tij pikërisht me këtë kryevepër, në një martesë e në një festë dasmore: janë burri e gruaja”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar familjes, në kuadrin e sinodit të tetorit të ardhshëm. “E kështu Jezusi na mëson se kryevepra e shoqërisë është familja, burri e gruaja që duan njëri-tjetrin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.