2015-04-29 15:44:00

Gratë protagoniste në Kishë, kuvëndim në Antonianum


Të reflektohet për kontributin gjithnjë më të madh, që mund të japin gratë në Kishë, duke analizuar modelet e së kaluarës, për t’u bërë ballë sfidave të së sotmes. Për këtë u diskutua në Universitetin Papnor Antonianum të Romës, gjatë një kuvëndimi organizuar në bashkëpunim me ambasadën kiliane pranë Selisë së Shenjtë.

Vitet e fundit vëmendja që i kushtohet rolit të grave në Kishë, është bërë gjithnjë më e madhe, duke nxitur kështu, në dritën e fjalëve të Papës Françesku, edhe reflektimin mbi nevojën për t’u krijuar hapësira të reja. Të ndjekim reflektimin e motrës Maria Melone, rektore e Antonianum, gruaja e parë,  që drejton një Universitet Papnor:

Përgjigje: - Gratë janë Kisha, gratë veprojnë në Kishë, gratë e kanë ndërtuar gjithnjë Kishën.  Është e natyrshme, prandaj, siç thotë edhe Papa, të rimendohet roli i gruas, në përkim me ndjeshmërinë e saj e, sidomos,  me pasurinë e saj, me mundësitë e pakufishme që ka për të dhënë diçka të re në fusha të ndryshme të jetës, edhe në Kishë.

Pyetje: - Ju jeni rektorja e parë në një Universitet Papnor. Cilat, sipas jush, janë hapësirat më të përshtatshme, që  krijojnë mundësi të reja për gratë?

Përgjigje: - Mendoj se ky aspekt është pakëz i ndërlikuar, sepse mund ta ngushtojë reflektimin vetëm mbi vendin që i takon gruas, duke harruar se   është e nevojshme t’i krijohen mundësi të reja, t’i besohen role të reja, veprimtari më me peshë, në shoqëri e edhe në Kishë. Po unë mendoj se ka më shumë rëndësi reflektimi mbi kontributin në Kishë, parë si hapësirë bashkimi, natyrisht edhe për role me përgjegjësi, e për këtë Ati i Shenjtë ka folur shumë herë e shumë qartë. Grave, prandaj, mund t’u besohen shumë role të reja, larg peshës të së kaluarës e edhe më larg paragjykimeve e dyshimeve. Aq më tepër sepse fshati global sot krijon sfida të reja, sepse Evropa nuk është më qendra e botës. Prej këndej, gruaja mund të luajë një rol të ri edhe në dialogun ndërkulturor.








All the contents on this site are copyrighted ©.