Edhe Shqipëria merr pjesë në Expo 2015, që hapet të premten në Milano, me një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Papës Françesku. T’u përgjigjet sfidave, që paraqet tema e Ekspozitës ndërkombëtare “Ushqim për planetin, Energji për jetën”, si edhe të favorizojë bashkëpunime, që të promovojnë identitetin kulturor shqiptar e të zhvillojnë bujqësinë e saj tradicionale e biologjike, falë mjeteve të reja të prodhimit e të tregtimit: ky është synimi i Tiranës.
Shqipëria do të jetë e pranishme brenda të ashtuquajturit “Cluster Bio-Mediterraneo” (Grupi Bio-Mesdhetar), duke u ofruar vizitorëve ndërkombëtarë mundësinë për të njohur bukuritë e saj natyrore, kuzhinën, krijimtarinë e rajoneve të saj, historinë dhe prodhimet e saj tipike. Falë pozicionit gjeografik dhe klimës së favorshme, kuzhina shqiptare përfaqëson shkrirjen e ndikimeve nga Mesdheu, Ballkani e nga Evropa. Është kuzhinë me vlera të mëdha ushqyese dhe e pasur me shije të veçanta.
Në paraqitjen që i bën Shqipërisë, faqja e internetit e Expo 2015, shkruhet: “Gastronomia shqiptare mund të ndahet sipas zonave – veriore, qendrore dhe jugore – secila prej të cilave ofron specialitete tradicionale dhe folklorin e vet karakteristik. Në Shqipëri, ushqim do të thotë kënaqësi, kulturë, festë dhe mikpritje, e është virtyt i shenjtë. Shqiptarët thonë: “Shtëpia është e mikut” e mikpritja ka qenë gjithnjë e lidhur me idenë e ushqimit, të vatrës dhe të shtëpisë. Praktikat bujqësore kanë pasoja konkrete mbi jetën e njerëzve, prandaj u duhet bërë ballë efekteve negative si sëmundjet me origjinë ushqimore, ndotja e ujrave të nëndheshme dhe varfërimi i tokës.
Pavioni i Shqipërisë, pra, paraqitet si hapësirë dialogu dhe shkëmbimi mbi zhvillimin dhe rritjen, në përkim me domosdoshmërinë për të kuptuar nevojat e reja të konsumatorëve dhe proceset e prodhimit, me synimin për të krijuar një rrjet ndërkombëtar mundësish për turizmin dhe investimet”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |