2015-04-29 10:49:00

Apostulli lirisë, Atë Pjetër Meshkalla, arrestohet më 29 prill 1967


Më 29 prill 1967 u arrestua nga regjimi komunist Atë Pjetër Meshkalla,  meshtar shembullor, dëshmitar i patrembur i Krishtit, pishtar i demokracisë, i cili u dënua me 10 vjet burg për "agjitacion e propagandë" nga regjimi komunist. Atë Meshkalla lindi në Shkodër më 26 shtator 1901, ndërroi jetë më 28 korrik 1988. Gjigant i fesë e i kulturës shqiptare, Atë Pjetër  Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar dhe mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore. 26 shtator 1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931.

Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit. Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme komuniste, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist të kohës e shqiptuar në kulmin e reaksionit. Ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju – tha atë Pjetër Meshkalla - mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem i lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”.  Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.

I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësua historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".

Në një tjetër moment, Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!”

Sot, të gjithë jemi dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie dhe të mirave të lirisë e të demokracisë, që gëzon shoqëria shqiptare, e cila ka për themel gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla. Prandaj, nuk e teprojmë kur pohojmë se Atë Pjetër Meshkalla, i prin njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë. Si e Lumja Nënë Tereza, Ai është shembull i dashurisë në veprim.

Letra e AT PJETËR MESHKALLA, drejtuar Mehmet Shehut në '67 për prishjen e objekteve të kultit

Përfaqësuesit e klerit katolik, një nga shtresat më të persekutuara në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial, shfaqën që në fillimet e tyre kundërshtitë ndaj komunizmit si një ideologji që synonte krijimin e një brezi dhe shoqërie pa asnjë normë njerëzore. Në vitin 1967, kur regjimi diktatorial vendosi ndalimin me ligj të besimit fetar, me mijëra klerikë të të gjitha besimeve fetare në vend u pushkatuan, u burgosën apo u internuan, ndërsa objektet e kultit fetar u shndërruan në kinema dhe në godina për shërbime të tjera. Në një letër që një klerik katolik i dërgon kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, vihet në dukje kontestimi i qartë kundër regjimit, i cili synonte të kontrollonte në çdo qelizë jetën e qytetarëve, duke u imponuar madje edhe besimin. Pjetër Meshkalla në letrën drejtuar kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, shkruan se popullit po i bëhet presion në lloj lloj formash, duke shfrytëzuar edhe varfërinë për t`i detyruar të pranojnë mohimin e besimit. Ai nënvizon se pjesa e frikësuar me kërcënime dhe presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën më të madhe, sepse e lidhur nga kafshata e bukës, detyrohet të mohojë me gojë atë që beson me zemër. Sipas tij, fushata që po bëhej në atë kohë synonte formimin e një gjenerate pa kurajo civile, oportuniste, servile, që do të ndikojë në prishjen e karakterit të shqiptarëve në dëm të vendit. Meshkalla gjithashtu vë në dukje zotimin që autoritetet shqiptare kishin dhënë para ndërkombëtarëve për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Me anë të kësaj letre, kleriku përshkruan edhe arbitraritetin absurd me të cilin urdhëroheshin të dorëzonin të gjitha pronat, pasi ato i përkisnin partisë. Duke iu referuar përgjimeve që u bëheshin qytetarëve nga Sigurimi i Shtetit ai thekson se, njerëzit kanë frikë të takojnë apo të përshëndesin njëri tjetrin për shkak se dikush prej tyre mund të dalë "i prekur". 
 Më poshtë vijon letra e plotë që At Pjetër Meshkalla i drejton Mehmet Shehut:
Fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni. Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t'Atdheut. Njerëzit kanë frikë m'u takue, m'u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të "prekun". E kush po di se cilët janë! - Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX?
Shkëlqesë,
Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t'i kthehen; dhe se nuk do t'ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli. 
Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s'Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut. 
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t'i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. 
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. 
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet. 
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç' vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t'Atdheut. Njerëzit kanë frikë m'u takue, m'u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të "prekun". E kush po di se cilët janë! -Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: "Këtë kishë do ta bajmë kinema"; Ju m'u përgjigjët: "Kjo asht propagandë armiqësore!".
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s'ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit. 
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira. 
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri - Tiranë, 5 prill 1967.
Me nderime
Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu








All the contents on this site are copyrighted ©.