2015-04-28 14:40:00

Papa takon Ban Ki-moon: të mbrojmë Tokën


Sot paradite, Papa Françesku shkoi në selinë e Akademisë Papnore të Shkencave, në Shtëpizën Piu IV, ku u takua privatisht me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Siç shpjegoi vetë Ban Ki-moon, në konferencën e mëpasme për shtyp, gjatë bisedës së përzemërt është folur mbi enciklikën e Atit të Shenjtë për ambientin, të cilën duket se Papa e ka përfunduar e do ta botojë në qershor. Ban Ki-moon e falenderoi Papën për pjesëmarrjen e tij në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, më 25 shtator, dhe i parashtroi disa çështje me interes botëror, si emigracioni dhe gjendja dramatike humanitare në disa zona të botës, ku ka konflikte e luftë.

Ban Ki-moon mori pjesë në seminarin e organizuar pikërisht në Shtëpizën Piu IV, me temë: “Të mbrojmë tokën, t’i japim dinjitet njerëzimit. Përmasat morale të ndryshimeve të klimës dhe zhvillimi i qëndrueshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.