“Në pikë të natës, u drejtoj thirrjen të gjithë atyre që janë në pritje të agimit”.
“Shpërngulja e të krishterëve nga Vendet e tyre të zanafillës, do ta ligështojë edhe
më shumë rolin e myslimanëve të moderuar”. Kjo është thirrja mallëngjyese dhe dëshpëruese
në favor të Kishave e të popujve të persekutuar në Lindje të Mesme, që të shtunën
e kaluar bëri nga tribuna e Unesco-s – posa mbërrini në Paris – Patriarku maronit
Béchara Raì. “Komuniteti ndërkombëtar – nguli këmbë kreu i Kishës maronite – po tregohet
tepër i ngadalshëm në ndalimin e veprës vdekjeprurëse e shkatërrimtare të vrastarëve
të pa fe e të pa kufij”.
Patriarku maronit kardinali Béchara Raì – njofton agjencia AsiaNews – mbërrini në
Francë nga Armenia, ku, si përfaqësues i Patriarkëve lindor, mori pjesë në ceremoninë
e njëqind vjetorit të masakrës së armenëve. Kardinali Béchara Raì do të qëndrojë në
Francë katër ditë, nesër ka në program një takim zyrtar me presidentin francez François
Hollande.
Dita e parë e qëndrimit u karakterizua nga fjalimi mbajtur në Unesco, mbi temën “Prezenca
e krishterë në Lindje të Mesme dhe roli i tij në promovimin e kulturës së paqes”.
Patriarku maronit foli në praninë e Irina Bokova, drejtoreshë e përgjithshme e Unesco-s,
të presidentit të Këshillit drejtues të organizmit Mohammad Sameh Arme e të ambasadorit
Khalil Karam, delegat permanent i Libanit pranë organizmit të OKB-së specializuar
në edukim, shkencë e kulturë. Si historian i regjur, patriarku, patriarku Raì përshkoi
një excursus të “pranisë së krishterë dymijë vjeçare në Lindje të mesme”, e nënvizoi
rolin promovues të kulturës së paqes garantuar nga prezenca (megjithëse pakicë) e
të krishterëve dhe propozoi disa mënyra për ta ruajtur këtë trashëgimi të rëndësishme
për të gjithë.
Në fjalimin e tij, patriarku maronit i Libanit, si kusht të parë për ruajtjen e kësaj
prezence, vuri “zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinze”. Sfidë kjo që duket jo
e lehtë për t’u përballuar. Në vijim të fjalimit, Patriarku kujtoi se, në planin historik,
perëndimi i qytetërimit arabo-mysliman ka përkuar me “shuarjen e shoqërisë së krishterë
“ dhe tërhoqi vëmendjen se “shpërngulja e të krishterëve nga Vendet e tyre të prejardhjes,
do ta ligështojë rolin e vet myslimanëve të moderuar, që deri tani përfaqësojnë pjesën
dërmuese të myslimanëve të Lindjes së Mesme”.
Së fundi, kardinali Raì bëri një qortim: “Nga tribuna e Unesco-s, unë kam ardhur këtu
për të ju sjell zërin e atyre, të cilëve u është heq zëri. Kam ardhur këtu për t’u
treguar për dëshpërimin e miliona refugjatëve, të pastrehëve, të moshuarve e fëmijëve,
të grave e burrave që kanë humbur zërin e tyre, të cilëve u kanë vjedhur Vendlindjen
e tyre dhe të mirat e tyre, duke shkatërruar të ardhmen e tyre. Jam këtu për të dëshmuar
dhimbjen e pafund e të patregueshme të sa e sa njerëzve që janë të persekutuar për
shkak të fesë së tyre, të atyre që janë ofenduar e sulmuar në emër të Zotit të mëshirës,
që lutet nga goja e vrastarëve të pashpirt. Jam këtu për të klithur me zë të lartë
në mbrojtje të kauzës së atyre që presin mbarimin e natës e shpresojnë në shpëtimin
që mund të vijë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po vonon të ndërhyjë për ta ndalur
veprën e vdekjes që po kryejnë vrastarët të pa fe e të pa kufij”. “Nga thellësia e
zemrës së natës që na mbulon, në terrin më të errët që na rrethon, u bëjë thirrje
të gjithë atyre që janë pritje të agimit, në Lindje ashtu si në Perëndim, në Evropë
si edhe në botën arabe, të krishterë e besimtarë të islamit – shtoi patriarku maronit
– që të na ndihmojnë ta përforcojmë shpresën e t’i ngushëllojmë më shumë popujt e
braktisur, të pambrojtur, të dëbuar e të persekutuar, në këtë dëshirë të hidhur të
tyre që të mos dorëzohet para vështirësive”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |