2015-04-27 14:43:00

Papa: të mbrohet “trashëgimia e brishtë” dhe dialogu me islamin


Kristianizmi nuk duhet të jetë fakt i kuptuar nga pak e kush e të gjitha veprat e Kishës duhet të luftojnë kundër “kulturës së hedhurinës” duke e bërë të dukshme dhimbsurinë dhe mëshirën e Jezusit për njerëzit më të ligshtë.

“Entuziazëm i madh”, “frymëzim”, “gjallëri”, “devocion popullor”. Janë shprehje që përdoren shpesh në bashkësitë kishtare të dioqezave të Beninit. E megjithatë, po të gërmosh pak më thellë, zbulon një fe të cekët, që nuk e ka forcën e duhur.

Një fe e fortë i bën ballë shekullarizimit

Kështu ia përshkruan Papës ipeshkvijtë fenë e besimtarëve të vet e prej fjalëve të tyre u nis, kur pohoi se “dëshira për njohjen e thellë të misterit të krishterë nuk duhet t’i përkasë vetëm një elite, por duhet të jetë burim frymëzimi e gjallërie për gjithë besimtarët”. E kjo, sepse vetëm një fe e rrënjosur thellë në zemra dhe e jetuar konkretisht, mund t’i ndihmojë t’u bëjnë ballë, a më mirë të themi, t’i mposhtin erërat e shekullarizimit, që fryjnë furishëm mbi gjithë botën e që, vërejti me realizëm Papa, ndjehen  edhe në vendin afrikan, ndonëse tani për tani në mënyrë ende të padukshme.

Kujdes familjet!

Duke pasur parasysh një vend, që po ndërron lëkurën, Papa u ndal tek çështjet baritore më të rëndësishme të çdo vizite “ad Limina”. Pika e parë, familjet, që porositi të mbështeten në jetën e tyre të përditshme, edhe pse baritoria e martesës është e vështirë në situatën konkrete shoqërore e kulturore të popullit beninez. Po, ju u tha Françesku ipeshkvijve, mos e humbisni guximin. Vijojeni veprimtarinë tuaj, sepse familja, ashtu siç e mbron Kisha katolike, është dhuratë e Hyjit, që u sjell njerëzve dhe shoqërisë paqe, stabilitet, lumturi. Pas familjes, Papa preku edhe temën e punës për të rinjtë beninezë si edhe atë të shkollimit të tyre që, theksoi, duhet të jetë i gjithanshëm, domethënë njerëzor e shpirtëror e t’u mësojë të rinjve solidaritetin e drejtësinë.

Dialog  “larg kulturës së hedhurinës” e dhimbsuri

Duke kujtuar islamin, Françesku e quajti Beninin shembull të harmonisë ndërmjet feve dhe kërkoi të ruhet e të mbrohet trashëgimia e brishtë e këtyre marrëdhënieve, aq më tepër duke pasur parasysh  klimën e sotme globale. Pastaj, porositë për kulturën e hedhurinës: shkoni kundër rrymës, porositi Papa, duke e luftuar kulturën e përjashtimit, të hedhurinës e duke mbrojtur vlerat ungjillore të mikpritjes e të takimit. Nuk bëhet fjalë për asistencë sociale, kujtoi, por për dhimbsurinë e mëshirën e Jezusit, që përkulet mbi plagët dhe mbi ligështitë e vëllezërve. Kështu gëzimi i Ungjillit kumtohet në mënyrë shumë më të frytshme.

T’u shmangen lojërave politike

Papa i ftoi rregulltarët e Beninit ta jetojnë thellësisht “Vitin e Jetës Rregulltare”, ndërsa për temën e thirrjeve meshtarake, që në Benin janë të shumta, ftoi të ndahen edhe me vendet tjera, të cilat nuk kanë kisha. Porosia e fundit, ajo e lidhjeve me autoritetet institucionale. “Mos hyni drejtpërdrejt në lojën politike ose në polemikat ndërmjet partive, sepse ky është një aspekt, që u takon laikëve, porositi. Ju, përfundoi, formojini e inkurajojini vazhdimisht, por pa hyrë vetë në lojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.