Ipeshkvi Shenjt Simeoni qe prijësi i dytë, pas Shën Jakut Apostull, i bashkësisë
së parë të krishterë, që u formua në Jeruzalem e që jetoi në një frymë vëllazërim
të plotë, sipas urdhërit të dashurisë, predikuar nga Jezusi: "Duajeni njëri-tjetrin,
ashtu si ju desha unë".
Shën Simeoni pati fatkeqësinë të shikonte rrënimin e Jeruzalemit, parafolur prej Jezusit.
Bashkësia e vogël e krishterë, duke kujtuar këtë parafolje, u largua me kohë dhe shpëtoi
nga fati tragjik, që u takoi banorëve të tjerë të Qytetit Shenjt, në të cilin romakët
nuk lanë gur mbi gur.
Si kaloi stuhia, bariu i mirë i priu grigjës drejt shtëpive tashmë të shkatërruara
dhe filloi, bashkë me besimtarët, rindërtimin e Kishës, Nënë e të gjitha kishave,
duke arritur t'i kthejë në fe të Krishtit shumë hebrenj, që vërtetimi i profecisë
së Jezusit i kishte shtyrë të meditonin mbi mesazhin ungjillor, të cilin më parë nuk
kishin dashur ta pranonin.
Simeoni jetoi gjatë. I udhëhoqi të krishterët e Jeruzalemit për më se dyzet vjet e,
kur dha dëshminë e gjakut për Krishtin, gjatë periudhës së dytë të persekutimit të
madh, që shpërtheu në të gjithë perandorinë romake, e kishte kapërcyer pragun e njëqindtës.
Pas persekutimit të parë, që goditi vetëm bashkësinë e krishterë të Romës, të cilën
Neroni e akuzoi për djegien e qytetit në vitin 64, bashkësia katolike gëzoi një farë
paqeje.
Por shumë shpejt, nën perandorin Domician, salvimi rifilloi me furi dhe çoi në vdekje
disa përfaqësues të shquar të aristokracisë romake, në gjirin e së cilës kishte nisur
të depërtonte feja e krishterë. Një persekutim tjetër, që shpërtheu nën Perandorin
Trajan, u shtri në të gjitha provincat e Perandorisë, ndonëse qëllimi i tij nuk ishte
aq t'i dënonte me vdekje të krishterët, sa t'i bënte të hiqnin dorë nga Krishti. Vendosmëria
e mahnitshme, me të cilën të krishterët refuzuan ta mohonin fenë, përbën një nga faqet
më të lavdishme të historisë së Kishës. E pikërisht në kohën e Trajanit, Simeoni,
ipeshkvi i Jeruzalemit, "vëlla me Jezu Krishtin", i mbaroi ditët në kryq, si Zoti
i vet!
All the contents on this site are copyrighted ©. |