2015-04-27 14:23:00

Mesha në Shën Pjetër për Papën Vojtila. Xhivish: na shoqëron nga qielli


Gjon Pali II vazhdon të na shoqërojë “në udhët e fesë, të shpresës e të dashurisë”. Janë këto, fjalët e kardinalit Stanislau Xhivish, në meshën e kremtuar sot nga kardinali Anxhelo Sodano, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e 1-vjetorit të shenjtërimit të Karol Vojtilës. Mori pjesë një delegacion i madh besimtarësh nga Krakovi, vendlindja e Papës shenjt.

Vojtila, njeri i lutjes dhe i veprimit

         Këngë në polonisht e në latinisht, besimtarë nga Krakovi në lutje pak hapa larg varrit, emocione të jashtëzakonshme për Papën “e ardhur nga larg”, që mbeti në zemër të Kishës, kujtime për “Ditën e katër papëve”, siç u quajt dita kur në tremen e Bazilikës, në kremtimin e shenjtërimit, ishin të pranishëm Françesku e Benedikti XVI, e shpirtërisht në elter, shenjtorët e rinj, Gjoni XXIII e Gjon Pali II. Sekretari i dikurshëm i Gjon Palit II, kardinali Stanisalu Xhivish, gjatë homelisë së sotme, vuri në dukje virtytet e Papës Vojtila, njeri i lutjes, i kundrimit dhe i veprimit, që dashurinë për Krishtin diti ta shndërrojë në shërbim të palodhur për Kishën e botën:

“Świętego Jana Pawła II możemy nazwać Papieżem Bożego Miłosierdzia…”

         Shën Gjon Pali II, tha ai, është “Papa i Mëshirës”, një tipar, që e lidh fort me Papën Françesku. Për të dy, mëshira hyjnore dhe njerëzore duhet vënë në qendër të jetës së Kishës.

Më pas, kardinali Xhivish vuri në dukje angazhimin e Karol Vojtilës për martesën e familjen, për dinjitetin e jetës njerëzore, sidomos asaj të pambrojturës. Në këtë fushë, ka qenë profetik, nënvizoi. Trashëgimia e shën Gjon Palit II, theksoi kardinali, duhet të na frymëzojë për të përballuar sfidat e kohës së sotme:

“Jeżeli chcemy pozostać wierni dziedzictëu św. Jana Pawła II…”

         “Nëse duam t’i mbetemi besnikë trashëgimisë së Gjon Palit II, duhet të ecim me guxim në rrugën e dashurisë për Zotin e për të afërmin, pra në rrugën e shenjtërisë. Kjo është detyra e përditshme para nesh”.

Papa i të rinjve

         E duke nënvizuar se kemi një ndërmjetësues të madh pranë Zotit, kardinali Xhivish nuk mund të mos përmendte të rinjtë, “lajmëtarët e agimit”, siç i quante shën Gjon Pali II, për të cilin ishin “shpresa e Kishës”:

“Jakże nie podziękować – dziś, w tej Bazylice – Ojcu Świętemu Franciszkowi…”

         “Si të mos falenderojmë sot, në këtë Bazilikë, Atin e Shenjtë Françesku, i cili vendosi që ta jetojmë Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë me të, pas një viti, në Krakovi? T’i hapim dykanatësh portat e atdheut të Gjon Palit II. T’ia hapim portat shën Pjetrit të kohës sonë dhe popullit të të rinjve të krishterë. Duam ta ndajmë fenë me ta e të mësojmë prej tyre entuziazmin e fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.