2015-04-27 17:27:00

Bern Fisher, klimën aktuale të zgjedhjeve në Shqipëri e shikon si pozitive.


Zyrtarisht, partitë politike nuk e kanë çelur ende fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Megjithatë, motorët elektoralë tashmë janë ndezur. Historiani Bern Fisher, klimën aktuale të këtyre zgjedhjeve e shikon si pozitive.
“Zgjedhjet janë një test i madh për të gjithën klasën politike, jo vetëm për qeverinë, por gjithashtu edhe për opozitën. Një prej gjërave që kam vënë re nga larg, atje ku unë jetoj, por edhe gjatë këtyre dy ditëve që jam në Tiranë, shikohet se ka pak retorikë agresive krahasuar me zgjedhjet e shkuara. Kjo është një shenjë shumë pozitive. Shpresoj që këto zgjedhje do të zhvillohen në një klimë akoma më të mirë krahasuar me ato të 2013-s. Shqipëria në të shkuarën ka patur probleme serioze me zgjedhjet, siç ishin ato në vitin 2009 dhe 2011, të cilat nuk u besuan nga shumë njerëz për arsye të bazuara. Mendoj se zgjedhjet e vitit 2013 ishin shumë më të mira. Më pas, pamë një kalim të pushtetit shumë të qetë krahasuar me të shkuarën. Organizatat ndërkombëtare e kanë vlerësuar këtë zhvillim duke e komplimentuar Shqipërinë në këtë hap përpara”, tha Fisher. “Unë shpresoj, - thotë Fisher, - se këto zgjedhje do ta vijojnë progresin e shënuar në ato të vitit 2013”.  (Prishtinë, 27 prill 2014  nga Qendra për Informim e Kosovës)








All the contents on this site are copyrighted ©.