2015-04-27 17:14:00

BE: Prishtina dhe Beogradi, të bëjnë më shumë për fatin e të pagjeturve


Sot në Ditën e të Pagjeturve, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së , Samuel Zhbogar ka thënë se Brukseli qëndron i bashkuar në kujtim me familjet e viktimave të zhdukura gjatë mizorive të kryera në Kosovë më 1999. "Zbulimi i së vërtetës në mënyrë që t'u mundësohet familjeve të viktimave të mbajnë zi për të dashurit e tyre mbetet një detyrë urgjente dhe bashkë me gjetjen e përgjegjësve për krimet dhe ndjekjes së tyre në mënyrë që të sillen para drejtësisë, është parakusht për pajtim midis komuniteteve", ka deklaruar ai. 
Bashkimi Evropian, vijoi ai, u bën thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd që ti rrisin angazhimet politike të qeverive të tyre dhe mbështetjen për informacionet e reja lidhur me fatin dhe vendndodhjen e personave të pagjetur dhe lokacioneve të reja të varreza.
"BE-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje politike dhe financiare për këtë proces. Më konkretisht, Zyra e BE-së në Kosovë po e shqyrton mundësinë e zotimit deri në fund të kësaj vere deri në 350.000 EUR për të mundësuar testet e ADN-së për rastet e gjetura gjatë vitit 2014 dhe të eshtrave të reja që pritet të gjenden", thuhet në deklaratën e Zhbogar.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së të Pegjeturve dhe në përmbyllje të “Javës së të Pagjeturve”, sot në oborrin e Kuvendit të Kosovës është zbuluar Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli si dhe familjarët e të pagjeturve.
“Është një ditë e rëndë për të gjithë neve, është një ditë e pritjes, e ankthit për familjarët, për më të dashurit tua”, tha në fillim të fjalës së tij kryeministri Mustafa, i cili theksoi se qeveria që drejton dhe ai personalisht janë të përkushtuar që të punojnë rreth të pagjeturve.
“Ne do të vazhdojmë më tutje që të punojmë në mënyrë që të identifikohen njerëzit tanë që janë humbur dhe nuk janë gjetur akoma, të kthehen në gjirin e familjeve të tyre, të marrin përgjegjësinë para ligjit dhe para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakrat, në zhdukjen e familjarëve tuaj”, tha Mustafa.
Ai theksoi se do të angazhohen që këtë çështje ta bëjnë jo vetëm çështje të Kosovës, por edhe çështje ndërkombëtare që të krijohet një gjyqësor me çdo kusht, që për këtë të diskutohet në institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë edhe Brukselin.
Kryeministri tha se do të bëhet presion mbi Serbinë, në mënyrë “që të kthehen familjarët tuaj dhe tanë, dhe poashtu jo vetëm që të kthehen, por edhe të marrin përgjegjësi para ligjit dhe drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakra, të gjithë ata që ishin pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe dhe të gjithë ata që e shkaktuan këtë dhimbje dhe këtë padrejtësi në vendin tone”.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, duke iu adresuar familjarëve të personave të pagjetur, zbulimin e kësaj përmendore e konsideron një akt institucional solidarizimi me dhimbjen e familjeve për 1.650 personat e pagjetur. Kreu i Kuvendit tha se qëllimi i organizimit të “Javës së të pagjeturve” dhe ngritja e përmendores, ishte përcjellja e një mesazhi human dhe paqeje, se këta njerëz u mungojnë të gjithëve dhe se institucionet e Republikës së Kosovës bashkëndiejnë dhembjen me familjarët e të pagjeturve. Ndërsa, atyre që i mbajnë ende trupat e tyre, t’u përcillet mesazhi human se është momenti i fundit që ata të kthehen në tokën e vet. 
“Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, dëshirojmë të përçojmë edhe mesazhin politik se fqinjësia e mirë dhe partneriteti janë përkushtim i Republikës së Kosovës, por ato mund të arrihen vetëm në atë moment kur shpirti i këtyre familjarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës do të jetë i qetë, kur këta njerëz që ende janë të pagjetur, të prehen në tokën e vet. Kjo është edhe simbolika e kësaj përmendoreje, e cila e shpreh tërësinë tonë, ndërsa ato pjesë që mungojnë janë pikërisht të pagjeturit tanë”, theksoi Veseli. (Prishtinë, 27 prill 2014  nga Qendra për Informim e Kosovës)








All the contents on this site are copyrighted ©.