2015-04-26 13:18:00

Papa në lutje për Nepalin, dëmtuar rëndë nga tërmeti: rreth dymijë të vdekur


Janë rreth dymijë, viktimat e tërmetit të fuqishëm me madhësi 7,9 ballë të shkallës Rihter, që goditi dje paradite Nepalin. Françesku, i njoftuar sakaq për ngjarjen tragjike, u gjunjëzua menjëherë në lutje. Pastaj, në mbrëmje, përmes sekretarit të Shtetit, kardinalit Parolin, i dërgoi një mesazh imzot Paul Simick, mëkëmbës apostolik i Nepalit, në të cilin shpreh gjithë dhimbjen dhe solidaritetitn për njerëzit e dëmtuar rëndë nga kjo fatkeqësi e madhe. Papa i siguron gjithë familjarët e viktimave për afërsinë e tij në lutje dhe ia beson shpirtrat e të vdekurve mëshirës përdëllyese të të Gjithëpushtetshmit. Inkurajon, më pas, autoritetet civile dhe personelin e emergjencës, që të vijojë veprimarinë për shpëtimin dhe asistencën e njerëzve, të cilëve u ra mbi kokë kjo tragjedi.

Qeveria nepaleze i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dërgojë ndihmat e nevojshme humanitare, në një vend ku, përveç të vdekurve, mijëra vetë janë plagosur, të tjerë, kanë mbetur pastrehë, të tjerë akoma, janë dëmtuar rëndë materialisht e shpirtërisht. Ndërsa bilanci i fatkeqësisë vijon të rëndohet. Por për më shumë hollësi, të dëgjojmë atë Pius Perumana, i Karitasit nepalez:

Përgjigje: - I tried to reach the town, I was in …

U përpoqa të arrij në qytet, sepse nuk isha këtu, kur ra tërmeti. Arrita vetëm në këtë çast, mbasi udha ishte e bllokuar. Më pas e liruan e kështu munda të arrij në Kathmandu. Tani jam në kishë i rrethuar nga një mori njerëzish.

Pyetje: -  ka shumë të plagosur?

Përgjigje: - There are a number of injured, and according to our reports …

Shumë, e sipas lajmeve që morëm, edhe qindra të vdekur. Në zonën ku ndodhem po kërkojnë akoma nëpër gërmadha njerëzit, që u zunë si në kurth nën shtëpitë e tyre të shembura brenda disa sekondave.

Pyetje: - Po shtëpitë, në ç’gjendje janë?

Përgjigje: - In many places the buildings are cracked and some buildings are collapsed …

Në shumë zona shtëpitë u dëmtuan rëndë e disa edhe u shembën krejtësisht. Po lajmet, që kanë arritur deri tani, nuk janë as të sakta e as të plota. Drita elektrike nuk ka ardhur akoma e linjat telefonike nuk funksionojnë në rregull, prej këndej, kuadri nuk është aq i qartë.

Pyetje: - Për çka kanë më shumë nevojë njerëzit tani?

Përgjigje: - Well, people are all out because of the after shakes …

Bah, njerëzit janë të gjithë në rrugë të madhe, sepse lëkundjet vijojnë. Sapo erdha nga selia e Karitasit, prej ku dolëm me vrap, sepse  dëgjuam alarmin. Askush nuk ndjehet i sigurt brenda ndërtesave. Jemi jashtë, pra.  Qielli është plot me re e druhemi se do të fillojë edhe shiu. Kemi nevojë për çadra, ushqime, për gjërat më të domosdoshme. Njerëzit nuk mund e nuk duan të kthehen në shtëpitë e tyre, edhe sepse shumica u rrënuan. Janë të gjithë rrugëve…








All the contents on this site are copyrighted ©.