2015-04-26 15:06:00

Kardinali Parolin: për Papën dialogu është armë universale e së mirës


Dialogu i arsyeshëm, plot respekt për larmitë, është motor i progresit në botën e globalizuar. Këtë bindje të Papës Françesku shprehu sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në fjalimin, mbajtur në Padovë, në “dies academicus”, organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të Fakultetit të Teologjisë së Trivenetos.

“Rregulla e jetës së Papës Françesku”, është bota e marrëdhënieve dhe e dialogut. Botë e hapur, që u kundërvihet shumë e shumë mureve, të cilat vijojnë të ngrihen edhe në epokën e globalizimit, në botën shumëpolare e të ndërlidhur. E edhe rrethimeve ekonomike, politike, shoqërore, fetare, atje ku Françesku do të dëshironte një botë të hapur, që i mbron identitetet e veçanta, duke qenë solidare e duke i përfshirë të gjithë.

Dialog i drejtë, i ndershëm

Kardinali Parolin analizoi me fund shërbesën papnore të Françeskut në “lectio magistralis” që mbajti në Padovë. Për Françeskun, theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, dialogu nuk është kurrë teori, as shkëmbim i thjeshtë idesh. Në vizionin e tij pikënisja është gjithnjë realieti, i lexuar pa dredhime, sinqerisht; ndërsa dialogu, nëse zhvillohet në mënyrë të arsyeshme e të ndershme, është mënyra më e lartë për të siguruar progresin e njerëzimit. E në këtë vizion të botës, një nga themelet për Françeskun, nënvizoi kardinali Parolin, është ai i solidaritetit, ngase garanci, që tregon se bota është në kërkim të drejtësisë reale e të mirëqenies më të madhe e se, njëkohësisht, nuk mund t’i harrojë të fundmit e as t’i braktisë ata, që nuk arrijnë të ecin me ritmin e rezultateve të larta e shpesh herë, të tepruara.

Një botë vëllazërore

Gjatë zhvillimit të “lectio”, sekretari i Shtetit preku temën e ndjeshme të paqes e, në të kundërtën, edhe atë të luftës. Foli për planet gjeopolitike, interesat dhe babëzinë për para e pushtet, që lëvizin pas kuintave, nga njëra anë; e, nga ana tjetër, për bashkëpunimin e ri shoqëroro-ekonomik, të çliruar nga kushtëzimet ideologjike, që Papa uron të afirmohet në fushën ndërkombëtare, sepse mund ta ndalojë luftën e të krijojë  kushtet e paqes, duke i bërë ballë botës së globalizuar e duke mbajtur gjallë ndjenjën e solidaritetit e të dashurisë reciproke. Edhe pse, sqaron Hirësia e Tij, në botën e hapur, për Papën Françesku kjo vëllazëri e thellë e reale, nuk është privilegj i të krishterëve, por bashkon çdo popull.

“Arsyet e Shtetit, “arsyet e Kishës”

Pasi reflektoi mbi përgjegjësinë e teologjisë e të teologëve sipas synimeve të Papës, domethënë mbi një studim, që nuk mund ta përjashtojë botën reale, kardinali Parolin preku çështjet më aktuale të dialogut ndërfetar dhe të veprimtarisë diplomatike të Selisë së Shenjtë, të “soft power” të saj, që përbëhet nga bindje e sjellje  shembullore e që i kundërvihet “hard power” të qeverive, të bazuara mbi “fuqinë ekonomiko-financiare ose mbi armët”. Edhe në këtë rast, sipas mësimeve të Françeskut, dialogu mund t’i çtensionojë fondamentalizmat kulturore, fetare e teologjike e prandaj u takon feve, nënvizoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, ta shikojnë si detyrë pjesëmarrjen në sigurimin e paqes.

Të shemben muret

Të dialogosh, në këndvështrimin e Papës, do të thotë të hedhësh ura e të ndërtosh shoqëri, të cilat jetojnë gjatë, shtoi kardinali Parolin, ndërsa muret, që vijojnë të ngrihen e që e bëjnë të vuajë shumë Françeskun – duket sikur duan të pohojnë se dialogu është i pamundur, se mospërkimet janë të papajtueshme, duke harruar se kushtet e paqes e të respektimit të jetës janë elemente themelore për të siguruar bashkëjetesën, që respekton dinjitetin e çdo njeriu, sigurinë e popujve të ndryshëm e statusin e çdo feje. Nga kjo bindje, vijoi kardinali, lind kërkesa e Papës për ndalimin e përparimit të forcave të të ashtuquajturit Kalifat në Veri të Sirisë.

Të rinj “bosh”

Meqenëse fliste në një mjedis universitar e, prej  këndej, me dëgjues kryesisht të rinj, kardinali Parolin përfundoi duke theksuar dy shndërrime simbolike e po aq edhe problematike, të qytetërimit evropiano-perëndimor, që kërkojnë reflektim e përgjigje. Njëri, “boshllëku apo zbrazësia e shpirtit” e rinisë evropiane, e cila duket sikur i ka harruar vlerat e qytetërimit të vet e ndoshta për këtë, vërejti prelati i lartë, shumë djem të kontinentit tërhiqen nga dhuna, e arrijnë deri atje, sa të nisen drejt Sirisë për t’u bashkuar me ata, që luftojnë duke përvetësuar emrin e Zotit.

Zbrazësia e eutanazisë

Shndërrimi i dytë ka të bëjë me “vullnetin” e vendeve të ndryshme evropiane për t’i dhënë eutanazisë statusin e së drejtës njerëzore. Besoj se lidhur me këtë dëshirë të arsyes për të ndërhyrë në një nga proceset themelore të jetës, në respektimin e kohëve të jetës e të vdekjes, njerëzit duhet të ballafaqohen jo vetëm me parimet e argumentet morale. Edhe këtu prelati i lartë shikon një zbtazësi ekzistenciale, përballë së cilës, kujton, na mungon ndoshta edhe shpresa më e brishtë, që shkon përtej arsyes e i hap rrugën marrëdhënieve njerëzore, solidaritetit, dashurisë, në vend që të mbyllet në vdekje. Ndërsa, përfundoi, shpresa, siç e kujton Papa Françesku, është në të vërtetë “dëshira e zjarrtë e Jezusit e kjo i kapërcen të gjitha rrethanat e shkurajimit ose të izolimit, ndjenjat e vetmisë e të zbrazësisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.