Në të Dielën IV të Pashkëve, që njihet si e diela e “Bariut të Mirë”, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa shpjegoi pse Jezusi njihet me këtë figurë. Më pas, porosia drejtuar gjithë meshtarëve, që të jenë “shërbëtorë” e jo “manager”.
Pse Jezusi quhet Bariu i Mirë? Kjo pyetje përsëritet çdo vit në këtë të diel, kujtoi Françesku, për t’u mrekulluar përsëri e përsëri me këtë figurë që zgjodhi Zoti për vetveten, duke e rilexuar në dritën e mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Tij. Vetëm kështu bëhet i qartë kuptimi i shprehjes “Bariu i Mirë”:
“Ai jep jetën, ofron jetën si fli për gjithë ne: për ty, për mua, për të gjithë. E ky është bariu i mirë! Krishti është bariu i vërtetë. I vetmi bari i popullit, në kundërshtim të plotë me gjithë barinjtë e rremë”.
Bariu i keq mendon për vetveten e i shfrytëzon delet, bariu i mirë mendon për delet e dhuron edhe vetveten për to. Ndryshe nga mercenari, Krishti bari është prijës i kujdesshëm, që e jeton jetën e grigjës, nuk kërkon interesin e vet, nuk ka tjetër dëshirë, veçse t’u prijë deleve të veta, t’i kullotë, t’i mbrojë. E gjithë kjo, me çmimin më të lartë, atë të flijimit të vetë jetës:
“Prej këndej, ftesa për të kundruar në Jezusin, “bariun e mirë”, “Provaninë e Hyjit, kujdesin e Tij atëror për secilin prej nesh”.
Përballë kësaj dashurie të Hyjit, ne shpresojmë një gëzim të pakufi e ndjejmë mirënjohje të thellë për gjithçka morëm fare falas.
Por nuk mjafton të kundrosh e të falënderosh, u kujtoi Papa edhe meshtarëve të rinj, të cilët i shuguroi sot paradite:
“Duhet ndjekur pas Bariu i Mirë. Posaçërisht nga ata, të cilët kanë misionin e prijësve në Kishë, meshtarëve, ipeshkvijve, papëve. Të gjithë janë të thirrur të kenë mendësinë e shërbëtorit, jo të pronarit, duke i përngjarë Jezusit, që e zhveshi vetveten e na shpëtoi, me mëshirën e Tij”.
Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku kujtoi se sot, në Kanada, u shpall e Lumtur Maria Luisa Turgeon, themeluese e Motrave të Zojës Rruzare të Shën Zhermenit, model i jetës kushtuar Zotit dhe i angazhimit në shërbim të të afërmit. Papa e cilësoi si:
“Rregulltare shembullore, kushtuar lutjes, mësimdhënies në qendrat e vogla të dioqezës së saj dhe veprave të bamirësisë”.
Më pas, fjalët e përzemërta drejtuar shtegtarëve, posaçërisht të ardhurve në Romë nga Polonia, në përvjetorin e parë të shenjtërimit të Gjon Palit II:
“Të shumëdashur, jehoftë gjithnjë në zemrat tuaja thirrja e Tij: ‘Hapjani portat Krishtit!’, që Papa Wojtila e shqiptonte me zërin e tij të fuqishëm e shenjt”.
Së fundi, një kërkesë drejtuar gjithë besimtarëve:
“Ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë për mua!”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |