2015-04-26 15:15:00

Dom Gjergj Meta: Busulla e ipeshkvijve katolikë për zgjedhjet vendore 2015


Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë kanë shkruar një letër qarkore, lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore 2015, që do të mbahen në muajin qershor. Që në fillim të letrës qarkore, ipeshkvijtë katolikë i konsiderojnë zgjedhjet si moment të rëndësishëm për demokracinë e vendit dhe për një përtëritje të mëtejshme të shoqërisë. E u bëjnë thirrje udhëheqësve dhe partive politike të Vendit, të kujtojnë se qëllimi i mendimit dhe veprimit politik është e mira e përbashkët, është krijimi i atyre kushteve që në një shoqëri favorizojnë të mirën e individit dhe të të gjithë njerëzve, pa dallim e pa përjashtim. Këtu mos të harrohet se e mira e përbashkët duhet ndjekur dhe arritur, jo në çfarëdo mënyre apo me çfarëdo mjeti, po me mjete dhe udhë të ligjshme e të ndershme.
E nëse panorama shoqërore e kulturore nuk shkëlqen aq shumë për ide e për projekte me vlerë të veçantë, ipeshkvijtë katolikë kërkojnë nga politika një zgjim të ndërgjegjes, për të punuar mbi programe që vërtet synojnë të mirën dhe përparimin e përbashkët. Kjo, sipas ipeshkvijtë të Shqipërisë, është parësore për mbarë popullsinë dhe shoqërinë: e mira e përbashkët e qytetarëve të Shqipërisë.
Për këto elemente dhe vlera e kërkesa tjera, për çka sot “kanë nevojë njerëzit e thjeshtë” në shoqëri, ipeshkvijtë u drejtohen subjekteve politike, duke tërhequr vëmendjen e tyre, edhe për “disa problematika që kërkojnë një zgjidhje para zgjedhjeve dhe disa të tjera pas zgjedhjeve”. E në letrën e tyre, ipeshkvijtë e Shqipërisë nisën nga zgjedhja e kandidatëve të denjë, kandidatë që “nuk duhet të jenë të përfshirë në punë kriminale apo korruptive”. Gjithnjë lidhur me kandidatë, ipeshkvijtë mendojnë se ata duhet të përfaqësojnë edhe “vlerat shpirtërore e morale të popullit” shqiptar në veprimtarinë e tyre shoqërore e politike. Përveç se duhet të kenë edhe një profil të lart profesional e kulturor.
Duke u ndalur pastaj tek roli i politikës, ipeshkvijtë e Shqipërisë, kërkojnë nga klasa dhe partitë politike, së pari, “të mos përdorët një gjuhë e dhunshme, si në të kaluarën”, së dyti, në fushatë “të prezantojnë platforma dhe programe serioze politike”, që marrin parasysh pikërisht pikën themelor e të domosdoshme: “të mirën e të gjithë njerëzve, në mënyrë të veçantë të varfrit dhe rininë”. Kjo, sipas ipeshkvijve, më së miri mund të arrihet duke menduar për krijimin e vendeve të reja të punës, çka do të siguronte “bukën e familjeve”, që me fjalë tjera do të thotë t’i garantohet çdo qytetari “të ketë dinjitet”.
Letra qarkore e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për zgjedhjet vendore 2015, provon t’i zgjojë ndërgjegjet, që këto zgjedhje të jenë një rast i volitshëm reflektimi dhe të vihen në qendër të vëmendjes interesi për të mirën e përbashkët, çka do të premtonte shumë për një ripërtëritje të shoqërisë. E ne po e përshkojmë dhe lexojmë letrën qarkore të ipeshkvijve të Shqipërisë me priftin, famullitarin e komunitetit kishtar të Shën Luçisë në Durrës, dom Gjergj Metën....

 








All the contents on this site are copyrighted ©.