2015-04-24 14:09:00

Papa ipeshkvijve të Namibisë e të Lesothos: kujdes të varfërit e familjet


Familja, të varfërit, protagonizmi i laikëve në Kishë: këto, temat e fjalimit, dorëzuar nga Papa Françesku prelatëve të Konferencës ipeshkvnore të Namibisë e të Lesothos, të cilët i priti me rastin e vizitës ad Limina. Vende afrikane jugore, të dyja janë me shumicë të krishterë.

Vëmendje kryesore të varfërve në planet baritore

Të mos harrohen kurrë të varfërit në planet baritore: këtë u kërkon Papa ipeshkvijve të Namibisë e të Lesothos. Vëmendje, pra, nevojtarëve, duke kujtuar se kur jeta shpirtërore mbyllet brenda interesave vetjake, nuk ka më hapësirë për të tjerët, nuk ka më vend, ku mund të hyjnë të varfërit. Ndërmjet tyre janë edhe të sëmurët nga Sida. E që të ketë gjithnjë vend për të varfërit, duhet kapërcyer egozimi në jetën private e publike. Kjo, një nga sfidat më të mëdha, që duhet të përballojnë Kishat e këtyre dy vendeve të Afrikës jugore.

Të  promovohet jeta e shëndoshë familjare përballë opinioneve të sëmura

Emergjencë tjetër, familja. Papa Françesku mendon për shumë familje të krishtera të ndara, për shkak të punës larg strehës familjare ose për arsye të tjera, si divorci. Prej këndej, nxitja për të qenë gjithnjë pranë familjeve në vëshirësi e për ta fuqizuar përgatitjen për martesën e krishterë. Papa i falënderon prelatët për angazhimin lidhur me krijimin e jetës së shëndetshme familjare, përballë opinioneve të sëmura, të shtrembëra, që vijojnë të përhapen në shoqërinë bashkëkohore. Ndihmë e mbështetje u duhet dhënë edhe njerëzve, që u kërcënohet jeta, nga kraharori i nënës, në pleqëri. Detyrë  e Kishës është të formojë familje, që kontribuojnë për paqen në botë, sepse familja është, pa dyshim, vendi më i përshtatshëm për praktikimin e kulturës së faljes, të paqes e të pajtimit. Në këtë kontekst, Françesku kërkon të sigurohet  për të gjithë Sakramenti i Rrëfimit, i pajtimit me Zotin, posaçërisht për familjet. Nga familjet vërtet të krishtera, nënvizon, do të vijnë një mori thirrjesh për jetën meshtarake, sepse njeriu pikërisht në familje mëson të dojë pa kushte, ashtu si edhe duhet,  posaçërisht kur është i ligësht.

Të dëshmohen angazhimet meshtarake, çelibati e shkëputja nga të mirat materiale

Përballë pakësimit, në dukje, të thirrjeve për meshtari e jetë rregulltare, vëren Papa, ka shumë rëndësi të flitet për gëzimin, që e pushton me fund shpirtin e njeriut, kur ia dhuron gjithë jetën Krishtit, duke dhënë dëshmi të një jete të jetuar me vërtetësi e gëzim dhe duke respektuar angazhimet meshtarke: çelibatin e shkëputjen dukshëm nga të mirat materiale, pa e harruar kurrë vëmendjen e veçantë për  thirrjet meshtarake.

Laikët të jenë protagonistë

Papa Françesku porosit, pastaj, të vihet në qendër të vëmendjes laikati katolik, roli i të cilit është i domosdoshëm. Besimtarët laikë, pohon, janë protagonistë të një shoqërie afrikane, të përtërirë përmes ungjillëzimit, që lidhet me gjithë anëtarët e Kishës. Kisha, prandaj, është e thirrur të çojë në çdo skaj e skutë, mëshirën shpëtimtare të Krishtit. Kështu, përfundon Papa, duam thjesht të tregojmë burimin e realizimit personal, udhën drejt lumturisë sonë të vërtetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.