2015-04-24 15:30:00

Papa: gjyshja globe-trotter në Sheshin e Shën Pjetrit takohet me Françeskun


Pyetja  e parë, që lind nga titulli i këtij shkrimi, është, pa dyshim, ç’do të thotë “glob-trotter”, term ky, ndoshta ende i panjohur në gjuhën shqipe, ashtu si dhe fenomeni. I panjohur, natyrisht, për një popull, që u mësua të rrijë i mbyllur në kafaz për më se një gjysëm shekulli.

 

Ta shpjegojmë pra, në fillim termin. Duke filluar nga shekulli XIX, nis një  formë e re shtegtimi, e praktikuar nga njerëz, të cilët njihen me emrin Globetrotter. Këta shtegtarë jetuan një stinë të artë posaçërisht në dhjetëvjeçarët e parë të nëntëqindës, duke kryer ekspedita të pamenduara më parë, me mjete e me financime të rastit, kryesisht, me shitjen e kartolinave.

Në shekullin XIX e në fillim të  atij XX, turizmi ishte ende fenomen i lidhur ngushtë me njerëz të kamur, aristokratë e borgjezë. Turisti shtegtonte me mjete të përshtatshme e pushonte në vendet më të rehatshme e më të bukura të botës. Me përfundimin e luftës franko-prusiane (1870-1871) nisi një tip i ri turizmi, gjithnjë në rritje në gjirin e shtresave  të varfëra të shoqërisë. Pararendës të këtij tip turizmi qenë anglezët,  kureshtarë të përjetshëm për të njohur botën e panjohur. Kujtojmë, këtu, Thomas Cook, që më 1872 bëri shtegtimin e parë rreth botës.

Globetrotters janë shenja e parë, që paralajmëronte  shndërrimet e shekullit XX.

E prania  e plakës argjentinase në Sheshin e Shën Pjetrit, paralajmëron shndërrimet e shekullit XXI, duke sfiduar agjencitë turistike të kohës sonë.

Quhet Emma Morosini e dje u përshëndet me Papën, në përfundim të audiencës së përgjithshme. Është globe-trotters feje, Emma, lexojmë në gazetën vatikanase, ‘L’Osservatore Romano”. Pa pyetur fare për 91 vjetët e saj,  përshkoi kryq e tërthor Argjentinën, duke u lutur për të rinjtë.  E prej Argjentine, erdhi në Romë, për t’i rrëfyer Françeskut historinë e saj: “Ec gjithnjë vetëm, duke u lutur, me një çantë të vogël, ku kam bukë e ujë. Po gjatë shtegtimit takoj shumë njerëz, që  bëjnë një copë udhë përkrah meje”, tregoi.

Gyshja u paraqit para Papës e veshur me  bluzën ku spikat portreti i Françeskut, që e bëri të njohur kudo, gjatë 1250 kilometrave të shtegtimit. Gjyshja vijoi të tregojë se shtegton prej vitesh nëpër shenjtëroret e botës. E tani, si kreu aventurën e saj shpirtërore në  Sheshin e Shën Pjetrit, po planifikon shtegtimin e ardhshëm, gjithnjë duke u lutur për të rinjtë, siç porosit Papa Françesku. Po ku do të shkojë tani, 91 vjeçarja Emma? Sekret….

 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.