2015-04-23 11:28:00

Papa ka ditën e emrit. Karcher: si shën Gjergji lufton kundër së keqes


Kisha kujton sot Shën Gjergjin, festë, që kremtohet në mënyrë të veçantë, pasi është edhe dita e emrit të Papës Françesku, i cili quhet Jorge, pra Gjergj. I ofruam mikrofonin meshtarit argjentinas, imzot Guillermo Karcher, ceremonier i Atit të Shenjtë, ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, në kohën kur ishte ipeshkëv në Buenos Ajres. Ja ç’na tha miku i 20 vjetëve:

         Të mendoj sot, në këtë festë për ditën e emrit, për shenjtin që i korrespondon emrit të Papës, është diçka e bukur, sepse kur e shoh si vepron, mund të them se Jorge Mario Bergoglio është një “shën Gjergj modern”. Lufton shumë kundër forcave të së keqes dhe e bën këtë me një frymë vërtet të krishterë: është Krishti ai, që shoh në të, ai që mbjell të mirën për të luftuar të keqen. Është shembull për këtë, sepse kështu bënte edhe në Buenos Ajres e vazhdon ta bëjë me atë thjeshtësinë, që e karakterizon dhe që është kaq e fuqishme, kaq e rëndësishme në këtë çast në botë, ku nevojitet prania e së mirës.

         Edhe kur ishte kardinal në Argjentinë, Papa aktual prezantohej si atë Jorge. Edhe tani, kjo përmasë meshtarake është mëse e dukshme, apo jo?

         Po, është e vërtetë, edhe sepse ai është jezuit, pra, është atë e vazhdon të jetë. Mua më mallëngjen çdo të mërkurë, kur mbërrijnë argjentinasit dhe i sistemoj në një sektor të veçantë të Sheshit të Shën Pjetrit. Shumë prej tyre e thërrasin “Atë, atë Jorge” e, vërtet, vërehet familjariteti, miqësia që ai ka krijuar për vite me radhë në Buenos Ajres, kur shkonte rrugëve të qytetit për të vizituar të varfërit në periferi. Sa shumë vazhdojnë ta ndjejnë afër e ai kënaqet e u përgjigjet gjithmonë me një buzëqeshje, me një përqafim, me një vështrim atëror. Përshëndetja për të del nga zemrat e njerëzve.

         Papa Françesku gëzon popullaritet të madh, por nuk mungojnë as kritikat, madje, edhe nga bota katolike. Ati i Shenjtë natyrisht i dëgjon. A keni vënë re nëse i vjen keq për to?

         Jo, jo… rrallë bën ndonjë koment… Zakonisht qesh e thotë: “Më mirë kështu, t’i njohim njerëzit”. Ai vetë karakterizohet nga një shpirt i lirë e nga forca e brendshme. Unë mendoj vërtet se është i vajuar nga Shpirti Shenjt. Çon përpara një shërbim, që ia ka besuar Kisha, për të mirën e Kishës e të botës dhe, e bën këtë me qetësi e siguri të brendshme.

         Papa Françesku njihet për spontanitetin e tij, por, nga ana tjetër, është edhe njeri shumë i përshpirtshëm, njeri i lutjes. Ç’mund të na thoni për këtë?

         Po, është njeri me përshpirtëri të fuqishme, sepse është njeri i lutjes, njeri i Zotit. Të mendojmë vetëm se çdo ditë i kushton dy orë lutjes e reflektimit, sapo zgjohet në mëngjes. Papës i pëlqen të përshëndesë seminaristët, ministrantët, të gjithë në sheshin e Shën Pjetrit. Por, sapo vesh paramentet liturgjike, ndryshon: e shohim të hyjë në Bazilikë, ose të shkojë drejt elterit të Sheshit si njeri i lutjes, njeri i përqendruar në ç’do të kremtojë atë çast, sidomos në misterin eukaristik. E njëjta gjë edhe kur del nga anijata qendrore e Bazilikës, kur të gjithë thërrasin: “Rroftë Françesku! Të duam fort!”. Ai i dëgjon, por shkon drejt sakristisë. E kjo është shembullore për një prift: ne jemi me popullin, por kur duhet të rrimë me Zotin, rrimë me Zotin.

         Këto duket sikur janë të njëjtat fjalë, që thoshte kardinali Xhivish, kur ishte sekretar i Gjon Palit II…

         Po, mund të dëshmoj edhe për Gjon Palin II, pasi kam qenë ndihmës-ceremonier në atë kohë! Kanë të përbashkët praninë e Zotit, që bëhet e fuqishme në çastin e duhur. Urimi im për ditën e emrit është që Papa Françesku të vazhdojë të jetë koherent dhe transparent, sepse kështu bën mirë. Shën Gjergji e mbroftë që ai të vazhdojë betejën për të mirën, duke mbjellur të mirën, siç po bën edhe tani.








All the contents on this site are copyrighted ©.