2015-04-22 13:13:00

Kishat Evropiane mbi tragjedinë e emigrantëve: Evropa të mos dorëzohet


Të bashkuara në lutje, por edhe në thirrjen e vendosur që qeveritë evropiane të mos dorëzohen para tragjedive të detit. Të nesërmen e mbytjes së barkës me emigrantë para brigjeve malteze, Kishat evropiane shprehën njëzëri dhimbjen dhe shqetësimin për të ardhmen.

Thirrje për të mos u dorëzuar para dhunës dhe shfrytëzimit

         “Deti Mesdhe – shkruajnë në një komunikatë – përjetoi një tragjedi tjetër, duke përpirë mëse 700 vetë, shfrytëzuar nga njerëz pa skrupull”. Që këndej, thirrja e ipeshkvijve për të gjetur zgjidhje për dhunën e shfrytëzimin, sepse “çdo njeriu i duhet respektuar dinjiteti si bir i Zotit”.

Të mos lihen vetëm Italia, Malta dhe Greqia

         I njëjti qëndrim mbahet edhe nga krerët e Konferencës së Kishave Evropiane (KEK), organizëm që përfshin Kishat protestante, anglikane dhe ortodokse të Evropës. “Kjo katastrofë – lexohet në komunikatën e tyre – na kujton angazhimin e vazhdueshëm në Mesdhe të rojeve kufitare italiane, malteze dhe greke, që lihen krejtësisht vetëm në operacionet e ndihmës së parë”. Kërkohet solidaritet i përbashkët e përgjigje kolektive e mbarë Evropës.

Të garantohen rrugë të ligjshme për të hyrë në Evropë

         Sipas Konferencës së Kishave Evropiane, “këto tragjedi vënë në dukje nevojën për të përballuar në rrënjë shkaqet e varfërisë dhe të pasigurisë shoqërore, të cilat e kanë bazën në konfliktet e vendeve nga vijnë emigrantët”. Vetëm duke garantuar rrugë të sigurta e të ligjshme për të hyrë në Evropë, mund të parandalohen këto tragjedi. “Kjo - nënvizon sidomos sekretarja e përgjithshme e Komisionit të KEK-ut për emigracionin në Evropë, Doris Peschke – do të thotë edhe rritje e numrit të lejeve të qëndrimit si refugjatë për personat e ardhur nga vende në konflikt, si Siria dhe Eritrea”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.