Të krishterët nuk kanë arritur akoma të merren vesh për kremtimin e Pashkëve në
të njëjtën ditë. Problem që mbetet ende i pazgjidhur, ndonëse përpjekjet nisën që
në vitet 140-145 nën papninë e Piut I.
Piu I u përpoq ta zgjidhte problemin, duke caktuar si ditë feste për të gjithë, të
dielën e parë pas hënës së plotë të pranverës. Por të krishterët e Lindjes vijuan
ta kremtojnë solemnitetin në një datë të pandryshueshme e pikërisht më 14 të muajit
hënor Nisan, kur nisën të kremtoheshin Pashkët e hebrenjve.
Papa Aniçeti eci në gjurmët e Piut I, por nuk mundi ta zgjidhte problemin e datës
së përbashkët. U takua, për këtë, me ipeshkvin e Kishës lindore, Polikarpin e Smirnës.
Diskutuan për një kohë të gjatë, pa u marrë vesh, por u ndanë në paqe. Madje Aniçeti
e rrethoi ipeshkvin e Azisë (martir i ardhshëm) me shumë nderime e kujdese. Kështu
vërtetë nuk mundi ta njëjësojë datën, por e shpëtoi Kishën nga rreziku i një skizme
të re për shkak të saj.
Ka shumë mundësi që Aniçeti të ketë ardhur në Romë nga Siria e, duke zënë vendin e
Piut I, ta ketë gjetur Kishën shumë të pështjelluar. E kjo, sepse para tij, nga Lindja
kishte ardhur në Romë teologu Marçione, i mirëpritur nga bashkësia romake për bujarinë
e edhe për moralin e tij të padiskutueshëm. Pikërisht ky teolog kishte përhapur një
teori të re, bazuar mbi një Zot që është Ati i Jezu Krishtit, por jo Hyji i Besëlidhjes
së Vjetër. Me një fjalë, fliste për dy Zota: njëri shëlbues e tjetri gjykatës. Krijoi
kështu çrregullime aq të mëdha në Romë, sa Polikarpi e quajti djali i madh i Shejtanit.
Aniçeti mendonte se doktrina luftohet me doktrinë, duke studiuar më shumë për t’i
udhëhequr si duhet besimtarët e sidomos, me shembull. Prandaj emëroi një numër të
madh meshtarësh e diakonësh, nga të cilët kërkoi të jepnin shembull të mirë, që ta
shikonin e ta ndiqnin të gjithë. I ndaloi rreptësishtë meshtarët të silleshin kot
e të mbanin flokë të gjatë: të gjithë duhet t’i qethnin flokët shkurt e të punonin
jo me fjalë boshe, por me vepra, për mbretërinë e Hyjit. Dha vetë i pari shembull
të shkëlqyer, duke mbrojtur pastërtinë e doktrinës, pa frikë nga persekutimet, që
nuk i munguan.
Jetoi 11 vjet me ankthin shpirtëror të Kishës universale, që ishte në rrezik, që duhej
shpëtuar e duhej nxitur me energji për të dalluar problemet kryesore nga ato të dorës
së dytë. Vdiq gjatë persekutimit, viktima të të cilit qenë edhe Shën Justini e Shën
Feliçita. Trupi i tij u varros në minierën pucolanë, e cila më pas u shndërrua në
katakombet e Shën Kalistit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |