2015-04-19 17:31:00

Vijon tragjedia e të krishterëve në botë


12 vetë hidhen në det, sepse të krishterë. Ngjarja e trishtuar e javës së kaluar vuri në lëvizje Bashkimin Evropian, i cili paralajmëroi se gjendja e mbërritjes së emigrantëve në brigjet e Italisë është e rëndë dhe do të rëndohet në javët e ardhshme. Kujtojmë se në barkën e shpresës, nisur nga Libia me rreth 100 vetë, shpërtheu grindja, kur një grup myslimanësh i pa të krishterët të luteshin. I kërcënuan, duke u thënë se “i vetmi Zot, që duhet lutur, është Allahu”. Nga fjalët, kaluan në vepra. Kështu 12 nigerianë e ganezë u hodhën në det nga shokët e tyre të udhëtimit, myslimanë. Policia ka arrestuar 15 vetë, ndër të cilët një i mitur.

Jep dorëheqjen i dërguari i veçantë i OKB-së në Jemen. Vendi mbetet i ndarë ndërmjet rebelëve shiitë nga njëra anë dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, nga ana tjetër. Në dokumentin përfundimtar të G7-ës, që përfundoi në Gjermani, ministrat e jashtëm urojnë të formohet sa më shpejt një qeveri e bashkimit kombëtar, me në krye presidentin Mansur Hadi, e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza. Ndërkaq, edhe Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, bën thirrje të arrihet armëpushimi e të fillojnë bisedimet ndërmjet qeverisë dhe rebelëve shiitë houthi. Megjithatë, dorëheqja e marokenit Jamal Benomar nga detyra e ndërmjetësuesit ndërkombëtar, nuk lë shumë për të dëshiruar.

Tragjedi pa fund në Siri, ku vijon konflikti ndërmjet të ashtuquajturit Shtet Islamik dhe koalicionit ndërkombëtar, udhëhequr nga SHBA-të. Dhjetra viktima çdo ditë në një vend, ku vijon edhe lufta civile, që prej katër vjetësh. G7, mbledhur në Lubecca të Gjermanisë, dënoi përdorimin e armëve kimike dhe deklaroi se nuk e konsideron presidentin al Asad, aleat në luftën kundër terrorizmit. Konflikti sirian ka shkaktuar tashmë 222.271 viktima, sipas të dhënave të Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër. Numri më i madh i të vrarëve janë civilë e mëse 11 mijë vetë janë fëmijë.

Lufta vazhdon edhe në Irak, ku në Erbil, kryeqytet i Kurdistanit irakian, jetojnë refugjatë të krishterë, të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, për shkak të avancimit të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Mëse 120 mijë burra, gra e fëmijë. Nga Erbili, sapo u kthye kryeipeshkvi i Uestminsterit, kreu i ipeshkvijve të Anglisë dhe Uellsit, kardinali Vincent Nichols.

Hap përpara në marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Havanës. Këtë javë, presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, e hoqi Kubën nga lista e zezë e shteteve, që mbështesin terrorizmin. Kongresi ka 45 ditë afat për të shqyrtuar propozimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, para se të bëhet efektiv. Vetë Kuba shprehu kënaqësinë për këtë vendim, menjëherë pas takimit të presidentit Raul Kastro me Barak Obamën, në kuadrin e mbledhjes së shteteve amerikane në Panama.








All the contents on this site are copyrighted ©.