2015-04-19 17:20:00

Një vështrim mbi veprimtarinë javore të Papës e Vatikanit


Të enjten, Papa Françesku priti ipeshkvijtë e Kenias, të cilëve u kërkoi të denoncojnë çdo lloj dhune. Kujtojmë se në Garissa, fundamentalistët somalezë vranë gjatë Javës së Madhe të Pashkëve dhjetra studentë të krishterë. Ati i Shenjtë u tha ipeshkvijve të jenë shembuj pajtimi, drejtësie dhe paqeje, por ta ngrenë zërin kundër çdo lloj dhune, sidomos kundër asaj që bëhet në emër të Zotit.

         Duke iu përgjigjur ftesës së krerëve të shtetit dhe të ipeshkvijve vendas, Papa Françesku do të shkojë në Ekuador, Bolivi dhe Paraguaj, nga 6 deri më 12 korrik. Lajmi u njoftua zyrtarisht të enjten, ditë në të cilën Papa i nderit, Benedikti XVI, mbushi 88 vjeç. Ati i Shenjtë, Françesku i bëri urimet më të përzemërta, së bashku me gjithë Kishën.

         Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku foli për problemin gjinor. Burri e gruaja, theksoi ai, kanë të njëjtin dinjitet, por problemet aktuale brenda çiftit nuk mund të zgjidhen me anë të teorisë gjinore, pra duke zgjedhur seksin sipas dëshirës e duke i sheshuar ndryshimet ndërmjet sekseve. Përkundrazi, nënvizoi Ati i Shenjtë, për të zgjidhur problemet burri e gruaja duhet të flasin më shumë, të dëgjojnë më shumë e të duhen më shumë. Së fundi, bëri thirrje t’u njihen grave të gjitha të drejtat.

Veprimtaria misionare dhe ungjillëzuese e Kishës është në qendër të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Lutjes për Thirrjet meshtarake e rregulltare. Thirrja e krishterë, shkruan Françesku, karakterizohet nga përvoja e eksodit, e daljes. Këtu e ka bazën edhe tema e sivjetme e mesazhit, që titullohet “Dalja, përvojë themelore për thirrjen”. Që këndej, ftesa drejtuar të rinjve për të mos pasur frikë të dalin nga vetvetja e të vihen për udhë, gjithnjë me vështrimin ngulur mbi nevojtarët.

Reforma e Kuries Romake, në qendër të mbledhjes së Këshillit të nëntë kardinajve, në praninë e Papës, që përfundoi të mërkurën e kaluar. Në një konferencë për shtyp, atë Federiko Lombardi shpjegoi se është përvijuar tashmë krijimi i dy dikastereve të reja: njëri, “Bamirësi, drejtësi e paqe” dhe tjetri “Laikë, familje e jetë”. Përsa u përket mediave të Vatikanit, është kërkuar formimi i një komisioni që të studiojë hapat për një projekt të miratuar tashmë. Është diskutuar hollësisht përsa u përket përgjegjësive dhe mënyrës së zbatimit të tyre në rastin e abuzimeve me të miturit. Drejtori i Sallës së Shtypit nënvizoi së reforma do të bëhet përfundimisht e njohur në vitin 2016.

Të luftohet uria në botë, duke i dhënë përparësi gjendjes në bujqësi. Kjo është ideja e Vatikanit, pak javë para hapjes së Ekspozitës ndërkombëtare të Milanos, tema kryesore e së cilës ka të bëjë pikërisht me ushqimin e tokën. E po këtë titull, “Tokë dhe ushqim” ka edhe vëllimi i përgatitur nga Këshilli Papnor “Drejtësi e Paqe”, që u paraqit javën e kaluar në Vatikan.

Po këtë javë, kreu i dikasterit vatikanas për kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi, paraqiti në Sallën e Shtypit pavionin e Selisë së Shenjtë në Expo Milano 2015. Është shumë i thjeshtë, shpjegoi ai, në frymën e Papës Françesku. Dy, temat kryesore, marrë nga përshpirtëria katolike: “Jo vetëm me bukë” dhe “Na jep sot bukën e përditshme”. Përmes gjuhës së artit, pra të arkitekturës, pikturës, fotografisë, kinemasë e videos, do të vihen në pah katër përmasa themelore: “Kopsht për t’u ruajtur” (përmasa ekologjike), “Ushqim për t’u ndarë me të tjerët” (përmasa ekonomiko-solidare), “Ushqim që edukon” (përmasa edukative) dhe “Bukë, që e bën të pranishëm Zotin në botë” (përmasa shpirtërore, e lidhur me temën e Eukaristisë).

Gjatë viteve të fundit, është rritur numri i katolikëve në botë. Që nga viti 2005, ata janë shtuar me 12%, duke arritur në mëse 1 miliard e 254 milion. Shifrat botohen në Vjetarin Papnor, ku saktësohet se zonat me rritje më të madhe janë Afrika dhe Azia. Është rritur edhe numri i meshtarëve, por për herë të parë, zvogëlohet numri i thirrjeve për t’ia kushtuar jetën Zotit. Gjithsesi, kjo nuk vlen për kontinentin afrikan, ku thirrjet vazhdojnë të jenë në rritje.

Tema të përbashkët në agjendën e Papës Françesku dhe në atë të OKB-së. Ati i Shenjtë përfundon brenda prillit enciklikën për ambientin. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, takohet në Vatikan me Atin e Shenjtë. Nga Uashingtoni, vetë Ban Ki-moon tha se do të konfrontohet me Papën për “shqetësimet e përbashkëta”, ndër të cilat edhe enciklika për ambientin. Ban nënvizoi se është hera e parë që një Papë fton Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë për genocidin armen dhe i kërkoi Turqisë ta njohë zyrtarisht këtë tragjedi. Ky vendim erdhi menjëherë pas polemikave mbi homelinë e Papës Françesku në meshën për kujtimin e 100-vjetorit të shfarosjes së armenëve, në prag të shpërbërjes së Perandorisë Otomane.








All the contents on this site are copyrighted ©.