2015-04-18 15:31:00

10-vjetori i zgjedhjes së Benediktit XVI. Ouellet: rriten frytet e Papnisë së Tij


 “Punëtor i thjeshtë në vreshtin e Zotit”. Më 19 prill, dhjetë vjet më parë, kardinali Joseph Ratzinger zgjidhej Papë. Për një reflektim mbi frytet e papnisë së Benediktit XVI në këtë dhjetëvjetor, intervistuam njërin nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës së nderit, kardinalin Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë:

Përgjigje: - Unë shikoj sidomos frytet, që piqen vonë, e, si fryt i parë, më duket se Papnia e Benediktit XVI ishte shans për Evropën. Papa, me emrin e me mendimin e tij, u kujtoi të gjithëve rrënjët e krishtera të Kontinentit të vjetër dhe nderimin që duhet të kishte për trashëgiminë e tij shpirtërore e kulturore. Shtegtimet dhe fjalimet e tij, për shembull në Paris, Londër, Berlin, do të mbeten vlera të padiskutueshme për ardhmërinë e Evropës. Një fryt tjetër i rëndësishëm, është kontributi i veçantë i Joseph Ratzinger, Benediktit XVI, për lidhjet ndërmjet fesë e arsyes në enciklikat e tij të mëdha. Veç kësaj, do të thosha se Papa Benedikti afroi ekzegjezën me teologjinë, në teori e në praktikë, me Nxitjen Apostolike “Verbum Domini” e, posaçërisht, me librin e tij kushtuar Jezusit të Nazaretit. Një fryt i tretë është thesari i homelive të tij mistagogjike, që na i lë trashëgim: një shkollë e vërtetë predikimi. Shumë nga homelitë e tij do të lexohen në shekuj.  

Pyetje: - Prej dy vjetësh, pas dorëheqjes nga shërbesa papnore, Papa Benedikti u tërhoq në lutje, larg botës. Po kjo s’do të thotë se nuk  e ndihmon më Kishën. Vijon ta ndihmojë, por në një mënyrë tjetër….

Përgjigje: - Benedikti XVI u tërhoq në heshtje, me një gjest të rrallë përvujtërie e guximi, gjest revolucionar, që i hapi rrugën edhe risisë së Françeskut. Besoj se autoriteti moral i Papës Benedikti është edhe më i madh e jam i bindur se lutja e tij është ndihmë shumë e çmuar për pasardhësin e tij. 








All the contents on this site are copyrighted ©.