2015-04-17 16:48:00

Shtegtim i Papës në Ekuador- Bolivi-Paraguay (6-12 korrik)


Më 20 janarin e kaluar, në takimin me gazetarët gjatë fluturimit të avionit nga Manila, në Romë, Papa foli edhe për shtegtimet e tij të ardhme nëpër botë. Ndërmjet tyre, shtegtimi në Ekuador-Bolivi-Paraguay.

 Duke u kthyer në Romë nga shtegtimi aq prekës në Sri-Lanka e, sidomos, në Filipine, kur një nga gazetarët e pyeti për shtegtimet apostolike që mendon të bëjë muajt e ardhshëm, siç e ka zakon, Papa u përgjigj drejtpërdrejt, duke kujtuar agjendën e tij e duke saktësuar se është fjala për hamendje, ende në studim:

“Po jap një përgjigje të përafërt, që nuk është ende plotësisht e saktë. Por plani është për të shkuar në Republikën Qendrafrikane e në Ugandë. Sivjet. Besoj se do të jetë nga fundi i vitit… ndërsa tre vendet latinoamerikane, që parashikohen për këtë vit  –ndonëse gjithçka është ende në studim e sipër, janë: Ekuador, Bolivi, Paraguaj. Këto të tre. Vitin e ardhshëm, në dashtë Zoti, dëshiroj të bëj - ndonëse nuk është parashkuar akoma - një shtegtim në Kili, Argjentinë e Uruguaj.”.

Tani  shtegtimi Ekuador-Bolivi-Paraguaj nuk është më në studim, por në përgatitje. Duke pranuar ftesën e krerëve përkatës të shteteve e të ipeshkvijve, Papa Françesku do të jetë në shtegtim apostolik në Ekuador nga 6 deri më 8 korrik 2015; në Bolivi, nga 8 deri më 10 korrik e në Paraguay, nga 10 deri më 12 korrik. Programi i shtegtimit do të botohet në të ardhmen.








All the contents on this site are copyrighted ©.