2015-04-17 13:59:00

Imzot Galantino: të krishterët e hedhur në det, gjest barbar


Kisha Katolike nuk ka fjalë për të përshkruar indinjatën, por edhe habinë me nivelin ku mund të arrijë njeriu, pas vrasjes së 12 emigrantëve të krishterë, hedhur në det gjatë udhëtimit me barkë nga Libia për në Itali. Sipas dëshmive të emigrantëve të tjerë, në barkën e shpresës, nisur nga Libia me rreth 100 vetë, shpërtheu grindja, kur një grup myslimanësh i pa të krishterët të luteshin. I kërcënuan, duke u thënë se “i vetmi Zot, të cilit duhet t'i luteni, është Allahu”. Nga fjalët, kaluan në vepra. Kështu 12 nigerianë e ganezë u hodhën në det nga shokët e tyre të udhëtimit, myslimanë. 15 emigrantë janë arrestuar nga policia italiane, e cila i akuzon për vrasje të shumëfishtë, rënduar nga urrejtja fetare. Janë nga Mali, Senegali, Guinea Bisau dhe sidomos nga Bregu i Fildishtë. Të dëgjojmë komentin e sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Nunzio Galantino:

         Gjë që pritej. Një lloj i caktuar diskutimi, deri tani, është mbajtur në nivelin ideologjik e kjo ideologji ushqente sjellje të elementëve, që bashkoheshin në grupe, shoqata, klane. Tani, këto diskutime - që pretendojnë, që kundërvihen, duke u bazuar fatkeqësisht mbi fenë, por që me fenë s’kanë të bëjnë aspak - kanë rënë në nivelin individual. Sipas meje, ky është hap drejt barbarizimit dhe instrumentalizimit të fesë.

         Nëse është e vërtetë kjo, domethënë se ekstremizimi i Shtetit Islamik, apo i organizatave integraliste si Boko Haram, po gjen fushë më të gjerë veprimi…

         Kur njerëz, që jetojnë të njëjtën vështirësi, siç është ajo e qëndrimit në një barkë, me të cilën duhet shkuar në një vend shprese, instrumentalizojnë në këtë nivel përvojën fetare dhe besimin fetar për të dominuar me mendimin e historinë e tyre, do të thotë se disa lloj arsyetimesh janë përvetësuar tashmë.

         Bashkimi Evropian ngre duart, sepse pretendon se nuk ka mjete për t’i bërë ballë një fluksi kaq të madh emigrantësh. Ç’mendoni për qëndrimin e Kontinentit të Vjetër? Jeni i zhgënjyer prej tij?

         Të thuash “i zhgënjyer”, sipas meje, është tepër pak, pasi është e qartë se nuk duan të reflektojnë seriozisht për situatën. Nuk mund të përballohet problemi me mjetet e zakonshme. Natyrisht, nevojiten mënyra të reja të menduari, të vepruari, të kuptuari. Alternativa që paraqitet është lufta, ose dorëzimi. Po si është e mundur që kaq shtete e kombe, të cilat kanë brenda tyre energji intelektive dhe organizative të jashtëzakonshme, të mos jenë në gjendje të mendojnë për tjetër gjë, përveçse ndërhyrjes së armatosur, ose ngritjes së pafuqishme të duarve përpjetë? Kam përshtypjen se kjo është një mënyrë elegante për të larë duart, para dramës, që do të bëhet gjithnjë e më e padurueshme për Italinë.

         Edhe SHBA-të duket se rrinë mënjanë, sidomos kur është fjala për Afrikën e Veriut…

         Pres çastin kur SHBA-të, Evropa dhe të tjerët të thonë së paku një fjalë, së paku një! …e të bëjnë autokritikë për sjelljen e viteve të kaluara. Për të qenë seriozë, duhet të themi edhe se shumë nga këto situata janë favorizuar e, madje krijuar, nga ndërhyrjet e pamenduara, nga ndërhyrje, pas të cilave, pak nga pak, po zbulojmë vetëm interesa: mos të thonë se duan të eksportojnë vlera, se duan demokracinë!








All the contents on this site are copyrighted ©.