2015-04-16 17:05:00

Miqësia me Krishtin, shenjë dalluese e papnisë së Benediktit XVI


Benedikti XVI kremton sot 88 vjetorin e lindjes. Të shumta mesazhet dhe urimet, për njeriun e dashuruar me Zotin e me Kishën, bariun shpirtëror në shërbim të së Vërtetës e të paqes ndërnjerëzore. Që nga fëmijëria, miqësia me Jezu Krishtin karakterizon jetën e Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger. Vetë Papa Benedikti XVI e kujtoi këtë fakt me mirënjohje, me rastin e ditëlindjes së 80-të më 15 prill 2007: “Miqësia e Jezu Krishtit është miqësia e Atij, i cili na bën njerëz që falim, e Atij që na fal, na largon vazhdimisht nga dobësia jonë e kështu, na edukon, na ndikon vetëdijen e detyrës së brendshme të dashurisë, e detyrës për t’iu përgjigjur besimit të tij në besnikërinë tonë” (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”.
Jozefi i vogël lindi më 16 prill 1927, e Shtuna e Madhe. Papa i ardhshëm Benedikti XVI pagëzohet në të njëjtën ditë e kështu, nënvizon ai vetë, lindja qe “shenja e fillimit të Pashkëve”. Në të njëjtën ditë u bë anëtar i familjes së vet dhe i familjes së madhe të Zotit: “Falënderoj Hyjin, sepse kam mundur të provoj se ç’do të thotë “familje”; kam mundur të provoj se ç’do të thotë atësi, kështu që emri i Zotit si Atë m’u bë i kuptueshëm nga brenda; mbi bazën e përvojës njerëzore m’u hap rruga drejt Atit të madh e të mirë, që është në qiell. (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”.
Gjithnjë me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Papa Benedikti XVI kujtoi se si ai u thirr nga Zoti për t’u bërë meshtar. Një dhuratë e re dhe shumë kërkuese, siç thotë Papa: “Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, në vitin 1951, kur ne – mëse dyzet shokë – ndodheshim në katedralen e Frizingës të shtrirë mbi dysheme e kur mbi ne kërkohej ndërhyrja e të gjithë shenjtorëve, vetëdija se isha krejt i mangët para kësaj detyre më rëndonte. Po, më ngushëllonte fakti se mbrojtja e shenjtorëve të Zotit, e të gjallëve dhe e të vdekurve, kërkohej për ne. E dija se nuk do të mbetesha vetëm”.
E për thirrjen e tij meshtarake, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger foli gjerësisht në takimin me të rinjtë e dioqezës së Romës, më 6 prill 2006. Benedikti XVI kujtoi situatën e vështirë në të cilën u rrit në Gjermaninë naziste, që dëshironte t’i hiqte qafe meshtarët. Por, kujton Papa, pikërisht për të kundërshtuar brutalitetin e regjimit, kishte nevojë për meshtarë, për zëra të fortë që të shpallnin Ungjillin: “Në këtë situatë, thirrja për meshtar u rrit gati natyrshëm së bashku me mua e pa ngjarje të mëdha kthimi në rrugën e Zotit. Gjithashtu, dy gjëra më kanë ndihmuar në këtë rrugë: që fëmijë, i ndihmuar nga prindërit e famullitari, zbulova bukurinë e Liturgjisë dhe e kam dashur gjithnjë e më shumë, sepse ndjeja se në të duket bukuria hyjnore e hapet zemra para qiellit”.
Dashuri për liturgjinë, pra, por edhe për teologjinë, “aventurën e madhe të dialogut me Zotin”. Megjithatë, u thotë Papa të rinjve, gjatë viteve të para të meshtarisë nuk mungojnë vështirësitë, por ato kapërcehen duke ia besuar veten krejtësisht Krishtit: “Duke qenë njeri me formim teorik e jo praktik, e dija se nuk mjafton ta duash Teologjinë për të qenë meshtar i mirë, por është e nevojshme edhe të jesh gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar të rinjtë, meshtarët, të sëmurët, të varfërit; është e nevojshme të jesh i thjeshtë me të thjeshtët. Teologjia është e bukur, por edhe thjeshtësia e fjalës dhe e jetës së krishterë është e nevojshme. E kështu, pyesja veten: a do të jem në gjendje ta jetoj gjithë këtë e të mos jem i njëanshëm, vetëm teolog apo tjetër? Zoti më ndihmoi e sidomos, më ka ndihmuar shoqëria e miqve, e meshtarëve dhe e mësuesve të mirë”.
E sot, në 88vjetorin e lindjes së Papës së nderit, urimi i shprehur nga zërat tonë shqiptarë, duan të jetë aromat e krishterimit të lashtë të një Vendi e Populli të vogël, që e ka për zemër Benediktin XVI, sepse edhe ai na ka për zemër! Ad multos annos. Gëzuar Atë i Shenjtë!

Jetëshkrimi i Atit Shenjtë Papa Benediktit XVI

Papa Jozef Ratcinger lindi në Marktl am Inn, në dioçezën e Passaut (Gjermani) më 16 prill 1927. I jati, komisar i xhandarmërisë, vinte nga një familje e lashtë bujqish të Bavarisë së poshtme.
Si i kaloi vitet e adoleshencës në Traunstein, në vitet e fundit të Luftës II Botërore u thirr në shërbim ushtarak e pikërisht në shërbimin ndihmës për ruajtjen e hapësirës ajrore.
Nga viti 1946 deri në vitin 1951, vit në të cilin, u shugurua meshtar (29 qershor), filloi veprimtarinë e mësimdhënies, studioi filozofi e teologji në Universitetin e Munihut dhe në shkollën e lartë të filozofisë e të teologjisë të Freisingës. Në vitin 1953 mbrojti disertacionin me temë: “Populli dhe shtëpia e Zotit në Doktrinën e Kishës sipas Shën Agostinit”, me të cilën fitoi titullin e doktorit në teologji. Katër vjet më vonë mori titullin e doçencës së pavarur me punimin mbi “Teologjinë e historisë së Shën Bonaventurës”.
Pas dhënies së mësimit të Dogmatikës e të Teologjisë themelore në Shkollën e lartë të Filozofisë e të Teologjisë të Freisingës, vijoi të jepte mësim në Bon, nga vitet 1959- 1969; në Munster, nga 1963 deri më 1966; e në Tubingen nga 1966 deri më 1969. Në këtë vit u bë profesor i Dogmatikës dhe i Historisë së dogmave në universitetin e Regensburgut si dhe zëvendës- drejtor i të njëjtit universitet. Ndërkaq, që nga viti 1962, fitoi famë ndërkombëtare duke folur, si këshilltar teologjik i kryeipeshkvit të Këlnit, kardinalit Joseph Frings, në Koncilin II të Vatikanit, ku dha një kontribut të shquar.
Ndër botimet e shumta, një vend të posaçëm zënë “Hyrje në krishtërim”, përmbledhje e mësimeve universitare mbi praktikimin e fesë apostolike, publikuar në vitin 1968; “Dogma e zbulime”, antologji me studime, predikime e reflektime, kushtuar punës baritore, dalë nga shtypi më 1973. Jehonë të madhe pati edhe ligjërata që mbajti pranë Akademisë Katolike Bavareze me temë: “Jehonë: Pse jam akoma në Kishë?”, në të cilën pohonte: “vetëm në Kishë është e mundur të jesh i krishterë, e jo pranë Kishës”. Vitit 1985 i përket vëllimi “Raport mbi fenë”: 1996-të,” Kripa e tokës”.
Më 24 mars 1997 Pali VI e emëroi Kryeipeshkëv të Munihut dhe Freisingës.
U shugurua me 28 maj të të njëjtit vit. Ishte prifti i parë dioqezan që merrte në duar, pas 80 vjetësh, drejtimin baritor të dioqezës së madhe bavareze.
U krijua kardinal nga Pali VI në Koncistorin e 27 qershorit 1977, me titujt e Shën Marisë Ngushëlluese në Tiburtinë, të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit (5 prill 1993) dhe të Kishës Suburbikare të Osties (30 nëntor 2002).
Ishte relator në Asamblenë e përgjithshme te Sinodit te Ipeshkvijve (1980) me temë: “Detyrat e familjes së krishterë në botën bashkëkohore”, si dhe kryetar-delegat i Asamblesë VI sinodale (1983) ku foli mbi temën “pajtimi e pendesa në misionin e Kishës”.
Më 25 nëntor 1981 u emërua nga Gjon Pali II Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; Kryetar i Komisionit Biblik dhe i Komisionit Teologjik Nderkombëtar.
Më 5 prill 1993 u bë anëtar i Urdhrit të Kardinajve- Ipeshkvij, me titull të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit.
Më 6 nëntor 1998 u zgjodh zëvendës–dekan i Kolegjit kardinalor. Më 30 nëntor 2002 Papa miratoi zgjedhjen e tij, me kërkesë të kardinajve të urdhrit të ipeshkvijve, si Dekan i Kolegjit kardinalor.
Ka qenë Kryetari i Komisionit për përgatitjen e Katekizmit të Kishës katolike, i cili pas gjashtë vjet pune (1986-1992) ia paraqiti Katekizmin e ri Gjon Palit II.
Nga 10 nëntori i vitit 2000 është akademik nderi i Akademisë Papnore të Shkencave.
Dha ndihmesë të shquar si anëtar: 
i Këshillit të Seksionit II të Sekretarisë së Shtetit;
i Kongregatave: për Kishat Lindore, për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, për Ipeshkvijtë, për Ungjillëzimin e popujve, për Edukimin Katolik; i Këshillave papnore: për nxitjen e bashkimit të të krishterëve; të Kulturës; i Komisioneve papnore: për Amerikën Latine dhe “Ecclesia Dei”. 
U zgjodh papë më 19 prill 2005; e filloi shërbimin e tij baritor si Kryebari i Kishës Katolike Universale më 24 prill 2005, me emrin papnor Benedikti XVI.
Ka shkruar tri enciklika: “Deus caritas est”, në vitin 2005; “Spe salvi”, në vitin 2007 dhe Caritas in Veritate, në vitin 2009. Ka bërë 23 shtegtime apostolike jashtë kufijve të Italisë, 26 në Itali. Gjatë 4 Koncistoreve, ka krijuar 84 kardinaj të rinj. Më 28 shkurt 2013 Papa Benedikti XVI u largua nga misioni i udhëheqjes së Kishës Universale, siç pati njoftuar gjatë Koncistorit të 11 shkurtit 2013. 








All the contents on this site are copyrighted ©.