2015-04-15 10:46:00

Patriarku armen Bedros: Papa nuk ka folur “kundër” askujt.


Shqiptimi i fjalës ‘genocid’ nga Papa Françesku me rastin e përkujtimit, të dielën e kaluar, të100 vjetorit të masakrimit të popullit armen në vitet 1915-1917, ka shkaktuar reagime të forta të autoriteteve dhe të mediave turke. Fjalët e Papa Françesku mbi shfarosjen e armenëve janë keqkuptuar dhe përdorur pa vend. Befason prandaj reagimi i tepruar dhe gjykimet e padenja të Turqisë ndaj Papa Françeskut për fjalët ai që tha mbi genocidin e popullit armen. Kjo për faktin se është fjala, përveç se për një ngjarje e të vërtetë historike, edhe për një qëndrim e një vlerësim që Kisha e ka shprehur edhe në të kaluarën. Pastaj, Ati i Shenjtë Papë, si kreu i krishterimit, ka të drejtë e për të shpreh vlerësimet për faktet historike që lidhën e që kanë të bëjnë me historinë e krishterimit. Befasia e reagimit të tepruar nga autoritetet turke është edhe për faktin se siç tha Patriarku Bedros, “Papa nuk ka folur “kundër” askujt, e nuk është radhitur ‘me’ armenët ‘kundër’ turqve. Në udhëtimin e tij, në nëntorin e kaluar në Turqi, ai e pat vlerësuar në mënyrë të veçantë misionin e dialogut dhe të pajtimit që Turqia është e thirrur të zhvillojë e ta çojë përpara, si vend që është në udhëkryq ndërmjet Evropës e Lindjes së Mesme. Pastaj, mjafton t’i kujtojmë edhe fjalët tjera që Papa përdori duke përmendur shfarosjet që kanë ndodhur edhe në Evropë nga nazizmi e nga stalinizmi, e deri te ngjarjet e fundit të tmerrshme që regjistrohen në Evropë, në Afrikë e në Azi. Prandaj vështrimi i Papës përfshinë botën mbarë. Kujtimi e dënimi i tmerreve që kanë ndodhur në të kaluarën, mund e duhet të shërbejë për të shmangur që ngjarje të tilla të tmerrshme mos të përsëritën kurrë më, siç është duke ndodhur akoma sot, mjerisht, në shumë vise të botës, duke u nisur nga Lindja e Mesme”.  Pikërisht fjalët e përdorura nga Papa Françesku para vuajtjeve kaq të mëdha që pësojnë popullsitë e Lindjes së mesme, sipas Patriarkut Bedros, “tregojnë se është pa vend, pa themel e pa shije përpjekja për t’u dhënë fjalëve të Papës ngjyrim e vlerë polemike ndaj Islamit. Papa i mbron e kujton të gjithë njerëzit e shtypur, ata që vuajnë nga konfliktet e dhuna, nga varfëria e nga padrejtësia, të çdo kombësie e feje, pas asnjë dallim e pa asnjë diskriminim. Papa Françesku nuk i ka ndarë kurrë vuajtjet e të krishterëve nga vuajtjet e të tjerëve, siç dëshmojnë ndërhyrjet e tij mbi konfliktet që janë duke e përgjakur Lindjen e Mesme”, pohon Primati i Kishës armene katolike. Së fundi po nënvizojmë se ekzistojnë vlera e parime që nuk mund të shlyhen për asnjë arsye dhe as të anashkalohen shkaqe politike apo ndonjë interesi tjetër. Ndër këto vlera është edhe respekti për të vërtetën historike mbi shkeljen e të drejtave si të njerëzve e po kështu edhe të popujve.Vetëm duke rikuperuar guximin e së vërtetës historike mund të ndërtohen marrëdhëniet e sinqerta e të qëndrueshme ndërmjet etnike e feve.








All the contents on this site are copyrighted ©.