2015-04-14 13:14:00

Papa: Kisha të mos mbledhë pasuri, por t’i përdorë me bujari


Një bashkësi e rilindur në Shpirtin Shenjt kërkon harmoni dhe i duron vuajtjet. Në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, duke folur për bashkësinë e parë të krishterë, udhëhequr nga Apostujt, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve dhe Kishës të mos mbledhin pasuri pa fund, por t’i venë ato në shërbim të nevojtarëve.

Harmonia dhe e mira e përbashkët, shenjat e bashkësisë së krishterë

         Ç’fryte sjell Shpirti Shenjt në një bashkësi? Mbi këtë pyetje, Ati i Shenjtë përvijoi tiparet e bashkësive të para të krishtera, duke vënë në dukje dy shenja, që të bëjnë të kuptosh se këta njerëz kanë rilindur në Krishtin. Shenja e parë është “harmonia”:

         “Bashkësia e rilindur, ose bashkësia e atyre, që rilindin në Shpirtin Shenjt, karakterizohet nga hiri i bashkimit, i harmonisë. I vetmi që mund të na japë harmoni është Shpirti Shenjt, sepse Ai vetë është harmoni ndërmjet Atit dhe Birit, është ‘dhurata’ që e krijon harmoninë. Shenja e dytë është ‘e mira e përbashkët’. Pra, ‘askush prej tyre nuk ishte skamnor, askush nuk e quante të vetën çkado që kishte’, ishte në shërbim të bashkësisë. Po, disa prej tyre ishin të pasur, por në shërbim [të të tjerëve]. Këto janë dy shenjat e një bashkësie, që jeton në Shpirtin Shenjt”.

Dhurata e durimit para vështirësive

         Kjo periudhë, vërejti Papa, është “e çuditshme”, sepse menjëherë pas saj, fillojnë problemet brenda bashkësisë, për shembull, hyrja e Ananisë dhe e Safirës, që përpiqen ta mashtrojnë bashkësinë:

         “Këta janë zotërinjtë e bamirësve që i afrohen Kishës, hyjnë për ta ndihmuar dhe e përdorin Kishën për punët e tyre, apo jo? Pastaj, vijnë persekutimet e paralajmëruara nga Jezusi. E fundit e lumnive sipas shën Mateut ungjilltar: “Lum ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë për shkakun tim… Gëzohuni e galdoni’. …E lexojmë persekutimet e shumta të kësaj bashkësie. Jezusi premton më pas shumë gjëra të bukura, paqen, begatinë: ‘Do të merrni njëqindfish më shumë nëse persekutoheni’”.

         Pavarësisht nga këto probleme, shën Pjetri i thotë bashkësisë të mos shkandullohet nga persekutimet, sepse është “zjarri ai, që e pastron arin”. Kështu edhe bashkësia e rilindur në Shpirtin Shenjt, pastrohet ndërsa lufton me vështirësitë, ndërsa pëson salvime. E këtu, Papa Françesku vuri në dukje shenjën e tretë të bashkësisë së parë të krishterë: durimin para problemeve e vështirësive, para thashethemeve e dëshmive të rreme, para sëmundjeve e dhimbjeve.

Mos grumbulloni pasuri, por përdorini për të mirën e përbashkët

         Bashkësia e krishterë, pohoi më tej Ati i Shenjtë, shihet se ka rilindur në Shpirtin Shenjt, kur kërkon harmoninë e jo ndarjen, kur kërkon varfërinë e nuk grumbullon pasuri për vete e, kur nuk zemërohet menjëherë para vështirësive, por ka durim, si Jezusi:

         “Në këtë javë të dytë pas Pashkëve, gjatë së cilës kremtojmë misteret e Pashkëve, do të na bëjë mirë të mendojmë për bashkësitë tona, si për ato dioqezane, ashtu edhe për ato famullitare, familjare e për shumë të tjera, duke u lutur për hirin e harmonisë, që është më tepër se bashkimi – është bashkim harmonik, harmoni, si dhuratë e Shpirtit Shenjt – duke kërkuar hirin e varfërisë – jo të mjerimit, të varfërsisë: çdo të thotë kjo? Që nëse kam pasuri, duhet ta administroj mirë e me bujari, për të mirën e përbashkët – e duke u lutur për hirin e durimit”.

         Zoti, përfundoi Papa Françesku, na dhashtë të gjithëve të kuptojmë se jo vetëm secili prej nesh, por e gjithë bashkësia si e tillë, e ka marrë hirin e Pagëzimit për të rilindur në Shpirtin Shenjt.








All the contents on this site are copyrighted ©.