2015-04-13 16:27:00

Papa merr pjesë në sesionin IX të Këshillit të kardinajve për reformën e Kuries.


Sot Papa mori pjesë në sesionin e nëntë të Këshillit të kardinajve, mbledhur për reformën e Kuries. Njoftimi për këtë sesion, që do të vijojë edhe nesër, u dha që në shkurtin e kaluar, në përfundim të sesionit të mëparshëm. Këshilli i kardinajve (C9), në të cilin bën pjesë edhe sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, koordinohet nga kardinali Oscar Maradiaga, ndërsa sekretar është imzot Marcello Semeraro. Zakonisht Papa është i pranishëm në punimet e paradites e të pasdites, me përjashtim të kohës, që ia kushton audiencës së përgjithshme të së mërkurës.

Qëllimi përfundimtar i C9, siç dihet, është hartimi i një kushtetute të re të Kuries, që duhet të zëvendësojë Kushtetutën e mëparshme “Pastor Bonus” (Bariu i Mirë), të cilën Gjon Pali II e pati shpallur në vitin 1988. Ndërmjet vijave udhëheqëse të reformës, është racionalizimi i detyrave, reduktimi i burokracisë dhe krijimi i një strukture, që ta ndihmojë Papën në drejtimin e Kishës, me frymë kolegjialiteti.

Në takimet e shkurtit të kaluar, rezultatet e të cilave iu nënshtruan  vlerësimit të kardinajve të mbledhur në Koncistor, vijoi shqyrtimi i punës së dikastereve papnore lidhur me reformën e, sidomos, u shqyrtua puna e këshillave papnore. Për ta hamendësohet se do të bashkohen në dy pole të mëdha: një për laikët e tjetri, për bamirësinë, drejtësinë e paqen.

Sot Papa i caktoi dikasteret kardinajve të rinj, krijuar në Koncistorin e shkurtit të kaluar. Kryeipeshkvi italian i Agrixhentos, Francesco Montenegro, do të jetë ndërmjet anëtarëve të Këshillit për emigrantët dhe Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ për solidaritetin; kryeipeshkvi i Ankonës, kardinali Eduardo Menichelli, anëtar i Kongregatës për Kishat lindore dhe i Këshillit Papnor për punonjësit e shëndetësisë.

Kardinalin francez Dominique Mambertì, që shërbente në Sekretarinë  e Shtetit, ndërsa tani është prefekt i Gjykatës së Lartë të Segnaturës Apostolike, Papa e ngarkoi të mbulojë tri detyra; në Këshillin e Kardinajve, seksioni për  marrëdhëniet me shtetet i Sekretarisë së Shtetit, në Kongregatën për Kultin Hyjnor e Sakramentet si dhe në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve.

Edhe 17 kardinajve të tjerë, krijuar në Koncistorin e fundit, iu caktuan detyra të rëndësishme pranë Kongregatave e Këshillave Papnore të Vatikanit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.