Më 13 prill, kalendari Kishtar përkujton shën Martinin I, papë. Emri Martin, që
do të thotë ‘i kushtuar Martit’ (perëndi pagane) dëgjohet në të katër anët e botës:
ndër bretonë Marzhin; tek katalanët Martí, ashtu si tek malësorët shqiptarë të veriut;
çekët: Martin; francezët: Martin; galezët Marthin; grekët: ÌÜñôçí; anglezët: Martin,
letonët: Mârtiòð; Limburgezët Martèng; holandezët Maarten; portogezët Martim, Martino;
spanjollët Martín; gjermanët Martin; hungarezët Márton; në latinishte shqiptohet Martinus,
në esperanto Martino.
Shën Martini I, papë, që sipas Martirologut Romak kremtohet sot, lindi në Todi të
Italisë në shekullin V – vdiq në Krime më 16 shtator 655.
Martini, diakon i Kishës romake, u zgjodh në fronin papnor pas vdekjes së papës Teodori
(13 maj 649) dhe nisi menjëherë ta drejtojë me dorë të hekurt timonin e barkës së
Shën Pjetrit. Për zgjedhjen e tij nuk e kërkoi, e as s’e priste, miratimin e perandorit
bizantin Kostancit II i cili, një vit më parë, kishte shpallur Tipin, dokument në
mbrojtje të tezës heretike të monotelitëve. Për t’i prerë rrugën përhapjes së kësaj
herezie, tre muaj pas zgjedhjes së tij, papa Martini thirri në Bazilikën lateranense
një koncil të madh, në të cilin ftoi të gjithë ipeshkvijtë e perëndimit.
Dënimi i ashpër i të gjitha shkrimeve monotelite, sanksionuar në pesë sesione solemne
konciliare, shkaktoi reagimin e tërbuar të oborrit mbretëror bizantin. Perandori urdhëroi
ekzarkun e Ravenës, Olimpin, të nisej për Romë për të arrestuar Martinin. Olimpi,
që dëshironte t’ia kalonte për zell edhe të zot’, u përpoq ta mbyste Papën me dorën
e stallierit të tij, gjatë kremtimit të Meshës në bazilikën romake të Shën Marisë
së Madhe. Por plani dështoi. Vrasësi u verbua papritmas kur po përgatitej ta therte
Papën që po i jepte hosten e shuguruar.
Ka shumë mundësi që kjo ngjarje e bindi Olimpin të ndërronte mendim, të pajtohej me
Papën shenjt e të planifikonte fillimin e luftës së armatosur kundër Kostandinopojës.
Në vitin 653, pasi Olimpi vdiq nga kolera, perandori mundi të hakmerrej, duke e arrestuar
Martinin me ndihmën e ekzarkut të ri të Ravenës, Teodorit Kaliop.
Martini, i akuzuar për uzurpim të paligjshëm të fronit papnor dhe për kurdisje komplotesh
kundër Kostandinopojës në bashkëpunim me Olimpin, u kap e u nis për në qytetin e Bosforit.
Udhëtimi, që zgjati pesë muaj, qe fillimi i një martirizimi nga më mizorët. Gjatë
ndalesave të shumta, besimtarët që deshën ta takojnë Papën, nuk u lejuan t’i afroheshin.
Si arriti, në shtator të vitit 654, në Kostandinopojë, e lanë një ditë të tërë të
shtrirë në rrugë të madhe, në sa populli nxitej ta tallte e ta pështynte.
Të nesërmen e mbyllën në burgjet më të tmerrshme të perandorisë. Pastaj nisi procesi
i gjatë e kapitës gjyqësor, gjatë të cilit Shën Martini u keqtrajtua aq, sa arriti
të murmurojë: “Bëni me mua ç’të doni; nuk i trembem vdekjes, përkundrazi, e dëshiroj!”-
Pasi e kishin fyer publikisht, e mbyllën fare të zhveshur e të ngarkuar me zinxhirë
në qelinë e akullt, caktuar për të dënuarit me vdekje. Por nuk e mbytën. Më 26 mars
655 e internuan fshehurazi në Khersonea të Krimesë. Jetoi i uritur e plotësisht i
braktisur për katër muaj, derisa i erdh ora e vdekjes, që e gjeti të shkatërruar fizikisht,
por të patundur moralisht. Ishte 16 shtatori i vitit 655.
All the contents on this site are copyrighted ©. |