2015-04-13 17:18:00

Havana e Uashingtoni, në rrugën e pajtimit


Takimi historik ndërmjet presidentit amerikan, Barak Obama, dhe atij kuban, Fidel Kastro, të premten, në kuadrin e mbledhjes kontinentale të Organizatës së Shteteve Amerikane, që përfundoi të shtunën në Panama, ia ndryshoi rrjedhën marrëdhënieve, të karakterizuara nga 53 vjet antagonizmi. Kastro dhe Obama u ulën pranë njëri-tjetrit në një sallë të vogël konferencash, në një atmosferë të përzemërt. Shtrënguan duart, buzëqeshën dhe diskutuan për shkrirjen e akullit mes tyre. Njihet botërisht – edhe nga deklarata e vetë të interesuarve, Obama e Kastro - ndikimi që pati Vatikani e veçanërisht Papa Françesku, në arritjen e këtij rezultati. Në takim mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, që u çoi pjesëmarrësve një mesazh të Atit të Shenjtë.

         Presidenti Obama nënvizoi se “ka ardhur koha të provohet diçka e re në marrëdhëniet e vështira ndërmjet Uashingtonit dhe Havanës”, duke përsëritur gatishmërinë për normalizimin e raporteve. Por, nuk mungoi të theksojë se SHBA-të do të vazhdojnë të bëjnë presion për respektimin e të drejtave të njeriut.

         Obama e Kastro lajmëruan se marrëdhëniet zyrtare diplomatike do të rivendosen në dhjetor. Uashingtoni do të heqë kufizimet për udhëtimet dhe tregtinë me Kubën e së shpejti, do ta shlyejë Havanën nga lista e zezë e vendeve, që ndihmojnë terrorizmin, ku Kuba është e shkruar që nga viti 1982. Vendet e tjera të kësaj liste janë Irani, Siria dhe Sudani.

         Dalja nga lista - kusht i vendosur nga Kuba ky – do të lehtësonte disa sanksione ekonomike, të cilat vendosen nga presidenti Obama, por vetëm Kongresi amerikan, aktualisht i kontrolluar nga republikanët, mund ta heqë krejtësisht embargon kundër ishullit.

         Ndërkaq, Havana po bën mbledhje për rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA-të dhe është gati të hapë ambasadën. Gjithashtu, Raul Kastro u tregua i gatshëm për dialog në fushën e të drejtave të njeriut e të lirisë së shtypit. Megjithatë nënvizoi: “mund të bindemi për disa çështje e jo për të tjerat: nuk duhet të krijojmë iluzione, ndërmjet nesh ka shumë ndryshime. Historia e vendeve tona është e ndërlikuar”.

         Kujtojmë se prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Klerin, kardinali Beniamino Stela, do të vizitojë Kubën nga 22 deri më 28 prill.








All the contents on this site are copyrighted ©.