2015-04-13 13:49:00

Françesku: Kisha të ketë guximin të flasë me sinqeritet


Udha e Kishës është ajo e sinqeritetit, e shprehjes së lirë të mendimit. Këtë pohoi Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa ripohoi se, ashtu siç e provuan Apostujt pas Ngjalljes së Krishtit, vetëm Shpirti Shenjt mund ta ndryshojë sjelljen tonë, historinë e jetës sonë e vetëm ai mund të na japë guxim. Ne nuk mund të heshtim, për gjërat, që i kemi parë dhe i kemi dëgjuar! Françesku e shtjelloi homelinë, duke u nisur nga ky pohim i Shën Pjetrit e i Shën Gjonit, shkëputur nga “Veprat e Apostujve”, në Leximin e Parë.

 

Të flitet me sinqeritet, pa ndrojtje

Papa kujtoi se kur Pjetri e Gjoni bënë një mrekulli, priftërinjtë i  burgosën e i kërcënuan, duke ua ndaluar të flisnin në emër të Jezusit, por ata vijuan  e, kur ktheheshin tek vëllezërit, i inkurajonin ta shpallnin me guxim e sinqeritet Fjalën e Zotit. E i luteshin Zotit t’i sjellë sytë kah kërcënimet  që u bëheshin e t’u japë shërbëtorëve të tij guximin të mos ikin, por të vijojnë ta shpallin me çiltërsi Fjalën e Tij:

“Edhe sot  mesazhi i Kishës vijon në udhën e sinqeritetit, në udhën e guximit të krishterë. Ata të dy, njerëz krejt të thjeshtë, siç thotë Bibla, pa shkollë, qenë krejt të sinqertë. Fjalë sinonime, kjo, me guximin, me lirinë për të folur, për t’i thënë pa frikë gjërat... Fjalë me shumë kuptime në origjinal. Parresìa, sinqeriteti... Që të shtyn të kalosh nga frika, në guxim, në aftësinë për t’i thënë gjërat me liri të plotë”.

Françesku, më pas, gjithnjë duke vijuar komentin e fragmentit të Ungjillit, u ndalua tek dialogu, pakëz misterioz, i Jezusit me Nikodemin, lidhur me lindjen e dytë, me mundësinë për të pasur një jetë të re, të ndryshme nga  e para.

Të kumtohet Jezusi pa bërë “publicitet”

Papa nënvizoi se edhe në këtë histori, në këtë udhë të sinqeritetit, protagonisti i vërtetë është pikërisht Shpirti Shenjt, sepse ai është i vetmi, që mund të  japë hirin e guximit për ta kumtuar Jezu Krishtin:

“E është pikërish ky kumtim, që na dallon nga prozelitizmi i thjeshtë. Ne nuk bëjmë publicitet, thotë Jezu Krishti, për të pasur sa më shumë ‘anëtarë’ në ‘shoqërinë tonë shpirtërore’, jo? Kjo nuk na duhet gjë. Nuk duhet, nuk është e krishterë. Ajo, që bën i krishteri, është të dëshmojë me guxim, e kumtimi i Krishtit shkakton, pastaj, përmes Shpirtit Shenjt, atë mrekullim, që na bën të shkojmë  përpara”.

Protagonist i vërtetë i gjithë kësaj, vijoi Françesku, është Shpirti Shenjt. Kur Jezusi flet për “lindjen e re”, vijoi, na bën të kuptojmë se është Shpirti Shenjt, që na shndërron, që vjen nga të katër anët, si era; e ndjejmë zërin e Tij. E, vijoi, vetëm Shpirti Shenjt është në gjendje të na bëjë ta ndërrojmë rrugën, ta ndërrojmë historinë e jetës sonë, ta ndërrojmë përkatësinë tonë.

Guximi, hir që vjen nga Shpirti Shenjt

Është Shpirti, vijoi Papa, që ua jep dy njerëzve të thjeshtë e të pashkollë, si Pjetri e Gjoni, atë forcë për ta kumtuar Jezu Krishtin deri në dëshmimin përfundimtar: deri në martirizim:

“Udha e guximit të krishterë është hir, që e jep Shpirti Shenjt. Ka shumë rrugë, në të cilat mund të ecim, edhe nëse na japin pakëz guxim: ‘Pa shih, pa shih, sa guximtar, ç’vendim mori! E shihe këtë, shiko sa mirë e bëri këtë plan, sa mrekullisht i organizoi gjërat. Ç’njeri i zoti!’. Kjo, natyrisht, ndihmon, por është mjet i një gjëje shumë më të madhe: Shpirtit. Nëse nuk është Shpirti Shenjt, ne mund të bëjmë shumë gjëra, shumë punë, por kjo nuk shërben për asgjë”.

Kisha, shtoi Françesku, pas Pashkëve, përgatitet të marrë Shpirtin Shenjt. Prandaj, qe nxitja përfundimtare e Françeskut, tani, në kremtimin e misterit të vdekjes e të Ngjalljes së Jezusit, mund ta kujtojmë gjithë historinë e Shëlbimit e të kërkojmë hirin ta marrim Shpirtin Shenjt, që të na japë guximin e vërtetë  për ta kumtuar Jezu Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.