2015-04-13 12:54:00

Ambasada turke: fjalët për “genocidin” armen, të papranueshme


Ambasada e Turqisë pranë Selisë së Shenjtë i quan sot “të papranueshme” fjalët e djeshme të Papës Françesku mbi “genocidin armen”, gjatë meshës së kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në 100-vjetorin e martirizimit të armenëve nga xhonturqit, në vitin 1915. Ati i Shenjtë, duke cituar Deklaratën e përbashkët të shën Gjon Palit II dhe të Katolikosit të armenëve, Karekin II, nënshkruar në vitin 2001, foli për masakrën kundër armenëve, duke e quajtur “genocidi i parë i shekullit XX”, gjatë të cilit “u vranë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, gra, burra, të moshuar e madje edhe fëmijë e të sëmurë të pambrojtur”. Ankaraja thirri ambasadorin pranë Selisë së Shenjtë për konsultime dhe nuncin apostolik në Turqi, imzot Antonio Lucibello, të cilit i shprehu pakënaqësinë e autoriteteve turke. Ministria e Jashtme, në një deklaratë për shtyp të datës së djeshme, 12 prill, thekson se fjalët e Papës kundërshtojnë faktet historike dhe ligjore.

         “Gjatë meshës shenjte, historia u instrumentalizua për qëllime politike – shkruhet në deklaratë. …Papa Françesku, në fjalët e tij, u referohet ngjarjeve tragjike të Bosnjës dhe Ruandës, duke i quajtur ‘vrasje masive’, por ato njihen si genocide nga gjykatat përkatëse ndërkombëtare. Ndërkaq, ai i quan ngjarjet e vitit 1915 ‘genocid’, pavarësisht nga mungesa e ndonjë vendimi të tillë nga gjykata kompetente”.

         Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Turqisë nënvizohet se Ati i Shenjtë ka rënë pre i interpretimeve të njëanshme, që nuk marrin parasysh faktin se viktima të Luftës I Botërore nuk ishin vetëm të krishterët armenë, por edhe myslimanët e hebrenjtë e pranishëm në Anadoll.








All the contents on this site are copyrighted ©.