2015-04-12 15:52:00

Papa kremton meshën në 100-vjetorin e genocidit armen


Pas leximit të Bulës për shpalljen e Jubileut të Mëshirës Hyjnore, dje pasdite, Papa Françesku u kthye sot në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, për të kremtuar meshën me besimtarët katolikë të ritit armen, në 100-vjetorin e masakrimit të tyre nga ana e otomanëve. “Tragjedi e jashtëzakonshme”, i quajti Ati i Shenjtë ngjarjet e vitit 1915, gjatë të cilave miliona armenë u zhvendosën për në brendësi të Anatolisë nga xhonturqit, të cilët i konsideronin opozitarë të krishterë, aleatë të Rusisë e të Francës, pra tepër të rrezikshëm për republikën e re turke, që po krijohej nga hiri i Perandorisë Osmane.

         Edhe kur takoi Sinodin Patriarkal të Kishës katoliko-armene, të enjten, Papa Françesku nuk mungoi ta përmendë këtë genocid, në të cilin humbën jetën të masakruar, ose të vdekur nga mundimet e rrugës e sidomos nga uria, mëse 1 milion vetë, megjithëse burime të ndryshme, japin shifra të ndryshme. E Ati i Shenjtë përmendi impenjimin e atëhershëm të Vatikanit:

         “Kujtimi ynë plot mirënjohje në këtë moment u shkon atyre që u përpoqën ta lehtësonin sado pak dramën e të parëve tuaj. Mendoj në mënyrë të veçantë për Papën Benedikti XV, që ndërhyri pranë Sulltan Mehmetit V për ndalimin e masakrimit të armenëve. Ky Papë qe mik i madh i Lindjes së krishterë: ai themeloi Kongregatën e Vatikanit për Kishat Lindore dhe Institutin Papnor Lindor, e në vitin 1920 e shkroi emrin e  Shën Efrehemit të Sirit ndër Dijetarët e Kishës Universale”.

        Edhe sot, Papa Françesku bëri të njëjtin gjest, pra e shpalli Dijetar, apo Doktor të Kishës, shën Gregorin e Narekut, në praninë e Sinodit të Kishës katoliko-armene e të shumë besimtarëve të saj e të Kishës Apostolike armene, që morën pjesë në meshë, vetëm pak ditë para përkujtimit të genocidit, më 24 prill. Pikërisht atë ditë, Patriarku Karekin II do të shpallë shenjtorë të Kishës Apostolike armene rreth një milion e gjysëm burra, gra e fëmijë, të cilët humbën jetën gjatë ngjarjeve, që armenët i njohin me emrin “E Keqja e Madhe”. Shumica e tyre ishin të krishterë gregorianë, por edhe kaldeas e maronitë.

         Në meshën e sotme, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndodheshin edhe dy Katolikosët e Kishës Apostolike armene, Karekin II me seli në Eçmjaxin dhe Arami I me seli në Liban. Ndërkaq, kreu i Kishës Katolike armene, Nerses Bedros XIX Tarmouni, bashkremtoi me Papën Françesku. Kujtojmë se ndryshimi ndërmjet dy Kishave, të dyja katolike, është se ajo Apostolike njeh vetëm primatin shpirtëror të Papës, por është e pavarur prej tij nga pikpamja administrative, ndërsa Kisha Katolike armene, pavarësisht se ndjek një rit të vetin, njeh autoritetin e ipeshkvit të Romës si kreu i Kishës Katolike universale.

Në fund të meshës së sotme, kremtuar para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtojmë këshillën e Papës Françesku për armenët:

“Faqet që tregojnë vuajtjet e historisë së popullit tuaj, vijuan në një farë kuptimi, Mundimet e Jezusit, e në çdonjërën prej tyre është vendosur fara e Ringjalljes së tij. Të mos mungojë kurrë në ju Barinj, impenjimi i edukimit të besimtarëve laikë, që të dinë ta lexojnë realitetin me sy të rinj, për të arritur të thonë çdo ditë: populli im nuk është vetëm ai i vuajtjeve për Krishtin, por sidomos i të ringjallurve në Të. Për këtë është me rëndësi ta përkujtojmë të kaluarën, por edhe të nxjerrim prej saj limfën e re, për ta ushqyer të sotmen me kumtimin e Ungjillit dhe me dëshminë e dashurisë bamirëse”.








All the contents on this site are copyrighted ©.