2015-04-12 14:25:00

Mëshira Hyjnore. Papa Françesku: vetëm Zoti mund t’i zhdukë humnerat e së keqes


Në Meshën Shenjte për njëqindvjetorin e martirizimit armen e në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi se në këtë të diel, që Gjon Pali II ia kushtoi Mëshirës Hyjnore, Zoti, përmes Ungjillit, tregon plagët e veta. Janë, vijoi, plagë mëshire.

 

Plagët e mëshirës

Plagët e Jezusit, pohoi Papa në homeli gjatë Meshës Shenjte për njëqindvjetorin armen, janë plagë mëshire. Jezusi na fton t’i shikojmë këto plagë, na fton t’i prekim, siç bëri Shën Toma, për të shëruar mosbesimet tona. Na fton, sidomos, të hyjmë në misterin e këtyre plagëve, mister i dashurisë së Tij përdëllyese. Përmes tyre, si përmes një të çare të ndritshme, ne mund të shikojmë gjithë misterin e Krishtit e të Hyjit: Mundimet e Tij, jetën e Tij tokësore, plot me mëshirë për të vegjëlit e të sëmurët, mishërimin e Tij në kraharorin e Marisë.

Vetëm Zoti mund t’i zhdukë humnerat e së keqes

Përballë ngjarjeve të historisë njerëzore, shtoi Ati i  Shenjtë, shpesh mbetemi të dërrmuar e nuk mund të mos pyesim “pse?”. Ligësia njerëzore mund të hapë në botë humnera të thella, zbrazësi të mëdha: zbrazësi dashurie, zbrazësi mirësie, zbrazësi jete. E atëherë, pyeti Papa, si mund t’i mbushim këto gremina? Për ne, kjo është e pamundur. Vetëm Zoti mund t’i mbushë këto zbrazësi që rrëmon e keqja në zemrat tona e në historinë tonë. Është Jezusi i mishëruar e i vdekur mbi kryq, Ai që e mbush greminën e mëkatit me honin e mëshirës së Tij.

Dashuria e Jezusit nuk ka mbarim

Shenjtorët na mësojnë se bota ndryshohet duke nisur nga ndryshimi i zemrave tona e kjo, shpjegoi Papa, arrihet falë mëshirës së Hyjit. Duke i mbajtur sytë të mbërthyer mbi plagët e Jezusit, mund të këndojmë bashkë me Kishën: “Dashuria e Tij është përgjithmonë, mëshira e Tij, e amshuar”. E me këto fjalë, të vulosura në zemër, ecim nëpër udhët e historisë dorë për dore me Zotin e Shëlbuesin tonë, me jetën e shpresën tonë.

Papa në Mbretëreshën Qiellore: fytyra e mëshirës është Jezu Krishti

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa kujtoi se në këtë të Diel II të Pashkëve jemi të ftuar të kundrojmë në plagët e të Ngjallurit, Mëshirën Hyjnore, që kapërcen çdo kufi njerëzor e shndrit në errësirën e së keqes e të mëkatit. Një kohë  e fortë dhe e gjatë për të pranuar pasuritë e pamasa të dashurisë përdëllyese të Hyjit do të jetë Jubileu i Jashtëzakonshëm i Mëshirës, kujtoi, Bulën e të cilit e shpalla mbrëmë këtu, në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke nisur nga fjalët “Misericordiae Vultus”, Fytyra e Mëshirës është Jezu Krishti. T’i mbajmë sytë drejtuar kah Ai, që na kërkon, na pret e na fal. Tejet i mëshirshëm, nuk trembet nga mjerimet tona. Në plagët e Tij na shëron e na i fal të gjitha mëkatet. E Virgjëra Nënë na ndihmon të kemi mëshirë për të tjerët, ashtu si ka Jezusi për ne. 

Papa uron Kishat e Lindjes për Pashkë

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku u bëri urimet më të përzemërta besimtarëve të Kishave të Lindjes që, sipas kalendarit të tyre, i kremtojnë sot Pashkët: “Bashkohem me gëzimin e kumtimit të tyre për  Krishtin e Ngjallur: “Christós anésti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.