2015-04-12 18:16:00

Françesku: martirizimi armen qortim për çdo konflikt. Thirrje krerëve të shteteve: jo dykuptimësi e kompromise


“Vetëm Zoti mund t’i mbushë zbrazësitë, që hap e keqja në zemrat tona e në historinë tonë”: kështu u shpreh Papa në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, duke kremtuar, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Meshën për njëqindvjetorin e “martirizimit” të popullit armen, gjatë së cilës shpalli Shën Gregorin e Narek, murg, teolog e poet i shekullit X, doktor i Kishës. Riti eukaristik u bashkëkremtua nga patriarku katolik Nerses Bedros XIX, në praninë e Katholicos Karekinit II e Aramit I si dhe të presidentit Serz Azati Sargsyan. Atyre Françesku u dorëzoi një mesazh në kujtim të masakrimit të tmerrshëm të popullit armen, që konsiderohet përgjithësisht si “genocidi i parë i shekullit XX”.

Është detyrë t’i kujtosh tragjeditë

“Të kujtosh atë që ndodhi, është detyrë jo vetëm për popullin armen e për Kishën universale, por për mbarë familjen njerëzore, që qortimi, i cili vjen nga  kjo tragjedi, të na shpëtojë nga rreziku i përsëritjes së tmerreve të tilla. Janë tmerre, që fyejnë Zotin dhe dinjitetin e njeriut”. Kështu shkruan Françesku në mesazhin drejtuar me rastin e këtij përkujtimi, vëllezërve e motrave armene, një shekull pas masakrës së tmerrshme, që mund të quhet martirizim i mirëfilltë. Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite  dëgjojmë britmën e  mbytur e të shpërfillur të shumë vëllezërve e motrave tona të pambrojtura që, për shkak të besimit në Krishtin ose të përkatësisë së tyre etnike, vriten publikisht e mizorisht: u pritet koka, kryqëzohen, digjen të gjallë ose detyrohen të braktisin trojet e veta.

Kohë lufte

Jetojmë në “kohë lufte”, nënvizoi Françesku në përshëndetjen drejtuar besimtarëve armenë para Meshës, “në luftën e tretë botërore, që shpërthen ‘pak sot e pak nesër’”.  Siç e ka thënë edhe herë të tjera, Papa kujtoi se të gjithë jemi dëshmitarë të krimeve barbare, masakrave të përgjakshme e marrëzisë së rrënimit. Edhe sot po jetojmë një lloj genocidi, shkaktuar nga indiferenca e përgjithshme kolektive, nga heshtja bashkëfajtore e Kainit, që  bërtet: “Ç’më duhet mua? Thua jam unë roja e tim vëllai?”.

Në shekullin e kaluar, tri tragjedi të pashembullta

Françesku kujtoi, në vijim, se jemi dëshmitarë të “tri tragjedive të pashembullta”, të jetuara nga njerëzimi në shekullin e kaluar, duke nisur nga ajo që, përgjithësisht, konsiderohet “si genocidi i parë i shekullit XX”, i cili goditi popullin armen - kombi i parë i krishterë - së bashku me sirët katolikë e ortodoksë, me asirët, kaldenjtë e grekët. Në skenën e kësaj tragjedie ranë ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, gra, burra pleq e deri fëmijë të sëmurë e pa kurrfarë mbrojtjeje. E më pranë kohëve tona, jemi dëshmitarë të shfarosjes në masë në Kamboxhia, Ruandë, Burundi, Bosnjë: “Të duket sikur njerëzimi nuk mund të rrijë pa derdhur gjak të pafajshëm”.

Lufta është çmenduri

Duket se entuziazmi i përfundimit të Luftës II Botërore, vërejti Papa, u zhduk, u shkri si kripa në ujë. Me sa duket familja njerëzore nuk do të nxjerrë mësime prej gabimeve të veta, shkaktuar nga ligji i terrorit; e kështu edhe sot e kësaj dite gjindet gjithnjë ndokush në kërkim të të afërmve, për t’i zhdukur, edhe me ndihmën e atyre, që heshtin, e të tjerëve, që bëjnë sehir si spektatorë. Nuk kemi mësuar akoma se lufta është çmenduri, është masakër e kotë.

Martirizimi armen, shfarosje e çmendur dhe e pashembullt

Prandaj, në njëqindvjetorin e “martirizimit” armen, Françesku, me zemrën e shporuar nga dhimbja, pohoi se duhet kujtuar kjo ngjarje tragjike, kjo shfarosje e pashembullt, e çmendur. Ta kujtosh është nevojë, madje  detyrë, sepse atje ku humbet kujtesa, e keqja e mban ende të hapur plagën; ta fshehësh ose ta mohosh të keqen, është një soj si ta lesh plagën të rrjedhë gjak, pa  e mjekuar! Të sigurt se e keqja nuk vjen kurrë nga Zoti, me rrënjë ngulur fort në fe, dëshmojmë se mizoria  nuk mund t’i atribuohet kurrë veprës së Hyjit e, për më tepër, nuk duhet justifikuar kurrë duke përdorur Emrin e Tij të Shenjtë.

Gregori i Narek shpallet doktor i Kishës

Pikërisht Gregori i Narek, më i dashuri e më i lexuari ndërmjet shenjtorëve armenë, që u shpall “Doktor i Kishës”, diti ta shprehë, shpjegoi Françesku, më shumë se askush, shpirtin e popullit të vet, duke u bërë zë i britmës,    shndërruar në lutje, të njeriut plot me dhimbje e mëkate, që shtypet nën barrën e ankthit e të ligështisë së vet, por edhe shndritet nga drita e dashurisë së Zotit, që shndërron çdo gjë.

Thirrje krerëve të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare

 Uroj që ky përkujtim i dhimbshëm, nënvizoi Françesku në mesazhin përfundimtar, t’i nxisë të gjithë të reflektojnë përvujtërisht, sinqerisht e me zemër të hapur për falje. Më pas, thirrja drejtuar krerëve të shteteve,  të Kombeve e të organizatave ndërkombëtare, për t’iu kundërvënë me përgjegjësi, pa rënë në dykuptimësi e kompromise, konflikteve që nganjëherë degjenerojnë në dhunë të papërligjur, të nxitura nga manipulimi i ndryshimeve etnike e fetare. Posaçërisht, urimi që të rifillojë udha e pajtimit ndërmjet popullit armen e atij turk e paqja të mbretërojë edhe në Nagorno Karabakh. Në këtë përkujtim të dhimbshëm, ekumenizmi i gjakut - përfundoi Françesku - që i afron konfesionet e ndryshme, i forcoftë lidhjet e miqësisë, që tashmë e bashkojnë Kishën katolike me Kishën armene apostolike.  








All the contents on this site are copyrighted ©.